FORMULA 1/ Ralf Shumaker zbërthen prapaskenën: Mercedes, ofertë Maks Vershtapenit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 19, 2026 | 13:56

FORMULA 1/ Ralf Shumaker zbërthen prapaskenën: Mercedes, ofertë Maks Vershtapenit

Sipas Ralf Shumakerit, Toto Volf i ka paraqitur Maks Vershtapenit një ofertë për sezonin 2027, por ajo ka qenë aq e ulët financiarisht sa kampioni holandez nuk ka pasur arsye ta marrë në konsideratë.vershtapen

Ish-piloti i Formulës 1 pretendon se bëhej fjalë për një lëvizje të qëllimshme nga drejtuesi i Mercedesit, i cili kishte interesa të tjera pas kësaj manovre. “Për momentin nuk ka vend te Ferrari”, deklaroi Shumaker në podkastin “Backstage Boxengasse”. “Ndërkohë, flitet se Volf i ka bërë fshehurazi një ofertë Vershtapenit, por ajo ishte aq e dobët ekonomikisht dhe Mercedesi nuk mund të konsiderohej një opsion real”, zbulon vëllai i Mikael Shumakerit. “Kjo është përshtypja që krijohet nga ajo që po ndodh pas kuintave në këto momente”, shtoi ai.

PRIORITETI I MERCEDESIT, KONTRATA E ANTONELIT Ralf Shhumaker beson se oferta e ulët ndaj Vershtapenit ishte e qëllimshme, pasi Volf ka prioritete të tjera, veçanërisht përmirësimin e kontratës së Kimi Antonelit. Piloti i ri italian aktualisht fiton rreth 2 milionë dollarë në vit, pavarësisht se ka fituar pesë Çmime të Mëdha dhe kryeson bindshëm kampionatin botëror me 41 pikë avantazh ndaj Luis Hamiltonit. Nga ana tjetër, Vershtapen fiton rreth 70 milionë dollarë në sezon te Red Bulli, ndërsa në vitin 2027 mund të ketë në dispozicion një makinë të aftë për të luftuar sërish për titullin botëror. “E kam thënë edhe më parë, pse do të sillte Volf një pilot kaq të shtrenjtë si Maks Vershtapen për ta vënë përballë Kimi Antonelit, që pritet të jetë superylli i ardhshëm i Formulës 1 nëse gjithçka shkon sipas planit? Atëherë do të kishte dy pilotë që do të konkurronin ashpër me njëri-tjetrin brenda skuadrës. Mjafton të kujtojmë atë që ndodhi mes Niko Rosbergut dhe Luis Hamiltonit, kjo është gjëja e fundit që Volf dëshiron”, argumentoi Shumaker. “Mbi të gjitha, kjo do të rrezikonte zhvillimin e Kimit. Prandaj, sinqerisht, nuk ka asnjë kuptim”, përfundoi ai. JOS

VERSHTAPEN MOHON GJITHÇKA Babai i Maks Vershtapenit reagoi menjëherë ndaj këtyre pretendimeve. Përmes një komenti të shkurtër në “Instagram”, ai iu përgjigj Shumakerit: “Ralf, edhe një herë po shpërndan informacione të pasakta”. Duket se këto spekulime nuk janë pritur mirë nga kampi Vershtapen, në një moment kur e ardhmja e Maksit në Formula 1 vazhdon të jetë objekt diskutimi. Megjithatë, për momentin ka më shumë arsye, veçanërisht financiare, që kampioni holandez të vazhdojë karrierën e tij në sport, sesa të mendojë për largimin, duke qenë se është ende në kulmin e moshës sportive.01

PANORAMASPORT.AL