SPECIALE/ Lapraka, akademia që ruan lidhjen me Partizanin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 19, 2026 | 11:24

SPECIALE/ Lapraka, akademia që ruan lidhjen me Partizanin

Në një zonë që historikisht ka pasur lidhje të forta me Partizanin, Lapraka vazhdon prej vitesh punën me grupmoshat në futboll. Kështu edhe është kthyer në një nga akademitë që po i kushton rëndësi formimit të futbollistëve që në hapat e parë. “Lapraka Sport” përfshin grupmosha nga 4 deri në 15 vjeç, ndërsa në sezonin e fundit një nga ekipet e saj ka tërhequr vëmendjen për rezultatet e arritura në fushë.

5aa2b646-bde3-4ada-98af-83a7f4f1274c

Bëhet fjalë për grupin e 7-vjeçarëve, i cili e mbylli sezonin me një bilanc të pastër. Vetëm fitore në 22 ndeshje të luajtura. Një ecuri që u shoqërua me 190 gola të shënuar dhe 52 të pësuar. Jo vetëm kampionatin, por skuadra fitoi edhe Kupën. Po ashtu edhe një turne në nivel ndërkombëtar në Maqedoninë e Veriut, duke regjistruar pesë fitore në po aq ndeshje.

Pjesë e këtij grupi janë Benar Aliaj si kapiten, Floid Lika, Arbor Ndrejaj, Rejan Kurti, Gleon Mala, Arbor Cani, Edrion Bunguri, Anduen Goxho, Darjel Bako dhe Eid Kerxhaliu. Një ekip që sipas trajnerit Albi Allushi ka spikatur jo vetëm për rezultatet, por edhe për mënyrën se si është paraqitur në fushë gjatë gjithë sezonit. Është shumë shpejt për t’i quajtur lojtarë, por tashmë flitet për ekipin më të mirë në grupmoshën e tyre.

WhatsApp Image 2026-06-19 at 11.09.32 (3)

“Ekipi ka pasur një dominancë totale në teknikë dhe taktikë, individuale dhe në grup, gjatë të gjithë vitit. Në atë moshë që janë lojtarët, teknika, inteligjenca, personaliteti dhe vendimarrjet janë në nivele të larta pothuajse për të gjithë fëmijët që janë pjesë. Ata kompletojnë tamam një ekip futbolli me të gjitha cilësitë të ndryshme që kërkohen. Kjo e bën një ekip me potencial shum të fortë për të ardhmen”, shprehet fillimisht trajneri i skuadrës.

Sipas Allushit, rezultatet janë produkt i punës së vazhdueshme në stërvitje. “Motivimi dhe përkushtimi, ardhja në çdo seancë stërvitore, stërvitja e krijuar në filozofi dhe ide të reja çdo ditë, ka bërë që fëmijët të kenë shumë përmirësime. Te fëmijët është një nga pikat për arritjen e këtyre rezultateve kaq diferenciale”, shton ai.

Sigurisht që një rol të rëndësishëm luajnë edhe familjet, të cilat janë pjesë e pandarë e procesit. Lidhja me Partizanin mund të kuptohet se nga nis, kur flet Joliani që është babai i Benarit.

WhatsApp Image 2026-06-19 at 11.09.32

“Që në fillim duhet theksuar se futbolli, në thelb, është sakrificë. Por është një sakrificë që mbart vlera të mëdha për çdo fëmijë që zgjedh këtë sport kaq popullor. Më shumë se sa sakrificë, unë do ta quaja përkushtim dhe angazhim të përditshëm, ku e gjithë familja bëhet pjesë e këtij rrugëtimi. Sigurisht që ka kosto, mbi të gjitha në kohë. Duhet të riorganizosh ditën, ritmin e jetës dhe shpeshherë nuk është e lehtë t’i përballosh të gjitha. Por kur sheh pasionin dhe dëshirën e fëmijës, çdo vështirësi merr kuptim. Sa më përket mua, përtej modestisë, përpiqem të jem frymëzim për të. Fëmijërinë time e kam kaluar duke luajtur futboll dhe këtë dashuri jam munduar ta përcjell edhe tek djali im. Duke qenë tifoz i Partizanit, futbolli ka qenë gjithmonë pjesë e bisedave tona familjare. Në fund të ditës, nuk bëhet fjalë vetëm për sportin. Bëhet fjalë për edukimin, disiplinën, karakterin dhe vlerat që futbolli ndërton tek një fëmijë”, shprehet Jolian Aliaj.

Ai tregon se është krenar për përkushtimin e djalit të tij, Benarit, por nënvizon se në këtë moshë më e rëndësishme se rezultatet mbetet edukimi përmes sportit.

WhatsApp Image 2026-06-19 at 11.09.32 (2)

“Besoj se çdo prind ndjen krenari kur sheh fëmijën e tij të përkushtuar ndaj sportit. Edhe pse përpiqem ta mbaj disi të rezervuar, jam shumë krenar për Benarin. Ai është i përkushtuar, serioz dhe e merr me shumë dëshirë atë që bën. Pa dashur të marr rolin e specialistit apo trajnerit, mund të them se ka potencial për vazhdimësi, edhe pse është ende shumë i vogël. Rezultatet e tij dhe të skuadrës janë inkurajuese. Kanë marrë pjesë në disa turne dhe statistikat tregojnë për një ekip solid dhe konkurrues. Më lejoni edhe një batutë që e them shpesh. Deri para një viti thonin: ‘Benari është djali i Jolit’. Ndërsa sot dëgjon shpesh ‘Ky është babai i Benarit’. Është një ndjesi e bukur, por njëkohësisht edhe përgjegjësi. Gjithsesi, përpiqem të jem i kujdesshëm në vlerësime. Dua që ai dhe shokët e tij të qëndrojnë me këmbë në tokë dhe të kuptojnë se vetëm puna dhe përkushtimi të çojnë përpara. Sa i përket ëndrrës, për mua mbi të gjitha është shëndeti dhe mbarësia e fëmijës. Dëshira ime si prind do të ishte që një ditë ta shoh të veshë fanellën e Partizanit dhe, pse jo, edhe të Kombëtares. Por kjo mbetet një dëshirë e imja, ëndrrën e tij le ta ndërtojë vetë Benari. Në fund, dua të shpreh një falenderim për trajnerin, i cili po tregon vlera jo vetëm sportive, por mbi të gjitha edukative. Kjo është ajo që ka më shumë rëndësi, sepse në fund të fundit kemi të bëjmë me fëmijë shumë të vegjël”, e mbyll fjalën e tij babai i Benarit.

WhatsApp Image 2026-06-19 at 11.09.32 (4)

Me tre trofe të fituar brenda një sezoni dhe me një grup që ka treguar vazhdimësi në paraqitje, Lapraka po korr frytet e një pune që nis që në moshat më të vogla. Rezultatet janë një tregues i mirë, por edhe sipas trajnerit, objektivi kryesor mbetet formimi dhe edukimi i fëmijëve që mund të jenë futbollistë në të ardhmen.

WhatsApp Image 2026-06-19 at 11.17.05

EMANUEL LOCI-PANORAMASPORT.AL