“Pushtimi” skocez në Boston, tifozët “thajnë” birrën në lokale
Tifozët e Skocisë kanë shkaktuar një bum të vërtetë në Boston, duke konsumuar aq shumë birrë saqë baret e qytetit po përballen me mungesa furnizimi. Sipas pronarëve të lokaleve, “Ushtria Tartan” po pi trefish më shumë se gjatë festimeve tradicionale të Shën Patrikut, ngjarja më e madhe e konsumit të alkoolit në qytet.

Pronaret e bareve tregojnë se frigoriferët dhe rezervat po zbrazen çdo ditë, ndërsa tifozët festojnë rikthimin historik të Skocisë në Botëror pas 28 vitesh mungesë. Një prej lokaleve zbuloi se ka shitur plot 72 fuçi birre “Tennent’s”, ekuivalente me rreth 8 mijë gota birrë. Deri tani, festa më e madhe e Bostonit konsiderohej ajo e Shën Patrikut, ku mbi një milion banorë me origjinë irlandeze mbushin rrugët dhe pubet e qytetit çdo mars.
“Po arkëtojmë trefish më shumë se zakonisht gjatë Shën Patrikut. Jemi këtu prej më shumë se 30 vitesh dhe nuk kemi parë kurrë diçka të tillë”, deklaroi Noele Somers, drejtuese operative e “Hennessy’s Bar”. Edhe Xhejson Uadleton, pronari i pubit skocez “The Haven”, pranoi se fluksi i tifozëve ka tejkaluar çdo pritshmëri. “U përgatitëm seriozisht për turmat, por niveli i mbështetjes dhe i shpenzimeve na ka habitur. Në disa momente mezi po arrinim të furnizoheshim me birrë, sepse konsumohej me ritme të jashtëzakonshme”, tha ai.
Sipas tij, tifozët skocezë kanë sjellë energji, humor dhe një atmosferë të veçantë në qytet. “Ka një ndjenjë të vërtetë festivali në Boston. Ata kanë ardhur për të kënduar, për të mbështetur ekipin e tyre dhe për t’u argëtuar. Kanë qenë ambasadorë fantastikë të Skocisë”, shtoi Uadleton. Edhe prodhuesit lokalë të birrës po ndjejnë ndikimin e madh. Kompania “Boston Beer Company” raportoi se shitjet e “Samuel Adams Boston Lager” janë katërfi shuar krahasuar me periudhat normale. “Po dërgojmë rreth 100 mijë gota birrë shtesë në lokalet e qytetit vetëm këtë javë. Kërkesa është rritur me rreth 30 për qind dhe shifrat prej 500 mijë gotash të konsumuara nga tifozët skocezë mund të jenë madje konservatore”, deklaroi Devon Savage, përgjegjës për komunikimin e kompanisë.
Ndërkohë, shumë bare raportuan se mbetën pa disa nga markat më të kërkuara menjëherë pas fitores 1-0 të Skocisë ndaj Haitit. Në disa lokale u shteruan gjysma e birrave të ofruara në rubinet. Muzikanti Xhim Lever, i cili jeton në Boston prej tetë vitesh, tregoi një episod interesant: “Më thanë të vazhdoja të luaja muzikë sa kohë kishte pije. Më pas më njoftuan se kishin mbaruar katër lloje pijesh. Nuk ka ndodhur kurrë që ky lokal të mbetet pa alkool në 50 vite. ‘Tartan Army” i piu të gjitha”.
Me rreth 40 mijë tifozë skocezë të pranishëm në Boston për Botërorin, furnitorët po punojnë pa pushim për të plotësuar kërkesën. Sipas kompanisë “Tennent’s”, në SHBA janë dërguar katër herë më shumë fuçi birre sesa në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. “Kanë kaluar 28 vite të gjata për tifozët tanë dhe ata po e shijojnë çdo moment të këtij rikthimi”, deklaruan përfaqësuesit e kompanisë. Në Boston tashmë bëjnë shaka se qyteti mund të mbetet pa birrë për sa kohë tifozët skocezë vazhdojnë festën e tyre të pandalshme.
PANORAMASPORT.AL













