Prapaskenat për stolin te Tirana, boshnjaku i favorizuar para kroatit. Bie pista e ish-it të Kombëtares

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 18, 2026 | 23:12

Prapaskenat për stolin te Tirana, boshnjaku i favorizuar para kroatit. Bie pista e ish-it të Kombëtares

Tirana është drejt zgjidhjes së çështjes së trajnerit për sezonin e ri. Burime pranë klubit bëjnë me dije se emri që kryeson aktualisht listën e kandidatëve për stolin bardheblu është ai i boshnjakut Nermin Bashiç, i cili konsiderohet si favoriti për të marrë drejtimin e skuadrës.

bashic

42-vjeçari ka një eksperiencë të konsiderueshme në futbollin e rajonit, teksa në të kaluarën ka drejtuar NK Radomlje në Slloveni dhe FK Zeljezniçar Sarajevë në Bosnje-Hercegovinë. Pas aventurave në Europë, ai u transferua në Afrikën e Jugut, ku prej vitit 2024 mbajti postin e drejtorit teknik te TS Galaxy FC. Bashkëpunimi i tij me klubin afrikan përfundoi në muajin prill, duke e lënë të lirë për një rikthim të mundshëm në futbollin europian. Profi li i Bashiç pëlqehet nga drejtuesit bardheblu për shkak të filozofisë së tij të punës me grupet e reja dhe aftësisë për të ndërtuar skuadra konkurruese. Megjithatë, deri në këto momente nuk ka ende një marrëveshje përfundimtare mes palëve.

Paralelisht, Tirana po mban të hapur edhe një alternativë tjetër. Në listën e klubit vijon të jetë edhe një trajner kroat, emri i të cilit nuk është bërë publik, por që mbetet një opsion serioz në rast se bisedimet me boshnjakun nuk përfundojnë me sukses.

Ndërkohë, pista që çonte te Burim Kukeli është ftohur ndjeshëm. Ish-mesfushori nuk ka mundur të zgjidhë kontratën e tij në Zvicër dhe për momentin duket jashtë garës për pankinën bardheblu. Drejtuesit e Tiranës synojnë të marrin një vendim brenda pak ditësh, pasi klubi kërkon të nisë sa më shpejt planifikimin e merkatos dhe përgatitjet për sezonin e ri. Pas dy kampionateve të vështira, ku skuadra luftoi për të shmangur rënien nga kategoria, objektivi është ndërtimi i një projekti të ri dhe rikthimi i Tiranës në nivelet që i takojnë.

PANORAMASPORT.AL