Dros “spiunon” Egnatian te moldavët: Pres shumë gola! Ja pse rinovova me Vllazninë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 18, 2026 | 21:55

Dros “spiunon” Egnatian te moldavët: Pres shumë gola! Ja pse rinovova me Vllazninë

Në fillim të muajit qershor, mesfushori moldav Kristian Dros rinovoi kontratën me Vllazninë edhe për një sezon tjetër. Në një intervistë për mediat moldave, ai foli për përballjen e Vllaznisë me Malishevën në turin e parë kualifikues të Ligës së Konferencës, si dhe për duelin mes Egnatias dhe Petrokubit në Ligën e Kampioneve. Mesfushori ka bërë rolin e “spiunit” duke zbërthyer rrogozhinasit para malodavëve.

dros

Shorti ju vuri përballë Malishevën e Kosovës. Si e vlerësoni këtë kundërshtar? Ndoshta do të kishit preferuar një emër më të madh?
Është një kundërshtar i mirë, por mendoj se është brenda mundësive tona. Objektivi ynë është kalimi në turin tjetër. Natyrisht, çdo futbollist dëshiron të luajë kundër skuadrave më të forta për të testuar nivelin e tij, por fillimisht duhet të fitosh ndaj ekipeve si Malisheva. Duhet të përgatitemi shumë mirë, sepse na pret një ndeshje e vështirë. Sa më shumë t’i afrohemi takimit, aq më shumë do ta analizojmë kundërshtarin për të kuptuar stilin e lojës së tij. Nga ana jonë, do të përpiqemi të imponojmë lojën tonë dhe të tregojmë se jemi skuadra më e fortë.

Fakti që kundërshtari vjen nga një vend fqinj është avantazh apo disavantazh?
Sigurisht që është një avantazh për ne, sepse nuk do të shpenzojmë shumë kohë dhe energji në udhëtim. Megjithatë, kjo nuk na jep ndonjë përparësi reale, pasi edhe kundërshtari ndodhet në të njëjtën situatë. Në këtë fazë nuk kemi menduar shumë për origjinën e kundërshtarit apo për destinacione ekzotike. Për ne ka rëndësi niveli i ekipit dhe gjendja në të cilën do të ndodhet në momentin e ndeshjes. Malisheva zhvilloi ndeshjen e fundit të kampionatit më 31 maj, ashtu si ne, ndaj në aspektin e përgatitjeve do të jemi në kushte të barabarta.

Petrokubi do të përballet me Egnatian në Ligën e Kampioneve. Çfarë mund të thoni për kampionët e Shqipërisë?
Mendoj se do të jenë dy ndeshje shumë interesante, sepse Petrokubi është aktualisht në një formë të mirë. Shumë lojtarë të tij janë pjesë e kombëtares së Moldavisë dhe po paraqiten me sukses. Sa i përket Egnatias, mund të them se është një skuadër shumë e organizuar dhe e fortë. Ka ekuilibër në të gjitha repartet dhe një grup lojtarësh me cilësi të larta individuale. Pres shumë gola në totalin e dy ndeshjeve, si dhe futboll cilësor e ofensiv.

Ju njihni mirë si kampionatin moldav, ashtu edhe atë shqiptar. Si do t’i krahasonit Petrokubin dhe Egnatian? Kush ka më shumë shanse për t’u kualifikuar?
Për mua shanset janë 50 me 50. Nëse marrim parasysh paraqitjet e Petrokubit në Europë gjatë viteve të fundit, ata kanë më shumë përvojë në këtë aspekt. Gjithsesi, do të jetë një përballje shumë interesante, sepse Egnatia po fiton titullin kampion të Shqipërisë për të tretin vit radhazi. Kjo tregon stabilitet në çdo drejtim. Jam i bindur se të dyja skuadrat do ta marrin shumë seriozisht këtë sfidë dhe nuk duhet të ketë asnjë nënvlerësim nga asnjëra palë.

Në fillim të muajit rinovuat kontratën me Vllazninë. Çfarë ju shtyu të vazhdoni?
Sezonin e ardhshëm do të vazhdoj të luaj për Vllazninë, sepse klubi aktivizoi opsionin në kontratë dhe e zgjati atë edhe për një vit. Kampionati shqiptar është një kampionat i mirë, me nivel të lartë si të futbollistëve të huaj, ashtu edhe të lojtarëve vendas. Ndjej se ende mund të rritem si futbollist këtu. Sezoni i kaluar nuk ishte shumë i suksesshëm për mua, sepse pësova një dëmtim dhe humba pothuajse gjysmën e kampionatit. Shpresoj që këtë vit gjithçka të shkojë më mirë dhe që pas një sezoni të kem mundësinë të bëj një hap përpara në karrierën time.

ENDRI ÇINARI – PANORAMASPORT.AL