Ramos e Trinkao, synimet e Amorimit për të ndërtuar Milanin e ri

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 18, 2026 | 22:18

Ramos e Trinkao, synimet e Amorimit për të ndërtuar Milanin e ri

Pas zyrtarizimit të Ruben Amorim si trajner i ri i Milanit kuqezinjtë kanë nisur të projektojnë lëvizjet e para në merkato, e cila hapet më 29 qershor. Sipas mediave italiane, tekniku portugez ka paraqitur tashmë idetë e tij në takimet me drejtuesit dhe pronarët e klubit, duke identifikuar repartet që kanë nevojë urgjente për përforcime.

amorim

Ramos, ëndrra për sulmin
Prioriteti absolut i Milanit është afrimi i një qendërsulmuesi të nivelit të lartë. Mungesa e golave në pjesën e fundit të sezonit të kaluar ishte një nga arsyet kryesore të dështimit të skuadrës dhe Amorim kërkon një lider të ri për repartin ofensiv. Emri më i nxehtë është ai i Gonçalo Ramos. Sulmuesi portugez 25-vjeçar ka fituar gjithçka me PSG-në, por ka humbur gradualisht statusin e titullarit. Edhe pse shënoi 12 gola në më shumë se 40 paraqitje sezonin e fundit, minutazhi i kufizuar mund ta shtyjë të kërkojë një aventurë të re. PSG e vlerëson kartonin e tij rreth 40 milionë euro dhe Milani po studion formula të ndryshme për ta sjellë në “San Siro”. Alterntivë shihet edhe Viktor Gyokeres i Arsenalit.

Trinkao, i preferuari i Amorim
Një tjetër emër i kërkuar është Francisko Trinkao, një nga futbollistët e preferuar të Amorim që nga koha te Sporting Lisbona. Ai konsiderohet perfekt për rolin pas sulmuesit në skemën 3-4-2-1 të trajnerit portugez. Në listën e dëshirave janë gjithashtu mesfushori Morten Hjulmand dhe talenti Can Uzun, i cili shihet si një investim për të ardhmen.

Leao mund të largohet
Ardhja e Amorim nuk garanton që Rafael Leao do të qëndrojë në Milano. Përkundrazi, e ardhmja e yllit portugez duket gjithnjë e më larg Milanelos. Leao ka shprehur dëshirën për të provuar një eksperiencë të re, ndërsa marrëdhënia me ambientin kuqezi është tensionuar gjatë muajve të fundit. Për më tepër, karakteristikat e tij nuk përshtaten plotësisht me sistemin 3-4-2-1 të Amorim. Ai nuk është i vetmi që mund të largohet. Luka Modriç pritet të mos rikthehet, ndërsa situata e Mike Maignan dhe Adrien Rabiot mbetet ende e paqartë. Në listën e transferimeve janë përfshirë edhe Fofana dhe Ruben Loftus-Çik.

Horge Mendesh hyn në lojë
Për të siguruar një sulmues të madh, Milani mund të mbështetet te Jorge Mendes, super-agjenti portugez që luajti një rol të rëndësishëm edhe në ardhjen e Amorim. Sipas “Tuttosport”, Mendesh po punon intensivisht për t’i sjellë Milanit një sulmues të nivelit të lartë. Përveç Gonçalo Ramos, një alternativë tjetër e rëndësishme është Darvin Nunjez. Sulmuesi uruguaian dëshiron të largohet dhe po kërkon një projekt të ri, ndërsa Mendes po vlerëson mundësinë e transferimit të tij te kuqezinjtë. Merkatoja sapo ka nisur, por Milani i Amorim duket gati të ndryshojë fytyrë me emra të mëdhenj dhe një projekt tërësisht të ri.

PANORAMASPORT.AL