Probleme brenda në skuadër, portugezët “braktisin” Dinamon
Dinamo ka vijuar me punën për sezonin e ri, me objektivin kryesor për të qenë gati për sfidat europiane. Blutë kanë hyrë në fazën përgatitore, ku stafi teknik po punon për rritjen e formës fizike të lojtarëve dhe për konsolidimin e grupit përpara përballjeve të Ligës së Konferencës.

Deri në këto momente, klubi kryeqytetas ende nuk ka zyrtarizuar asnjë ndeshje miqësore. Pritet që gjatë ditëve në vijim të përcaktohen kundërshtarët e testeve përgatitore, të cilat do t’i shërbejnë trajnerit për të parë gjendjen e skuadrës dhe për të provuar skemat e reja, teksa edhe merkatoja mund të ketë lëvizje.
GJENDJA E SKUADRËS- Në kampin blu situata po ndiqet me kujdes sa i përket gjendjes fizike të futbollistëve. Një nga shqetësimet është Faton Neziri, i cili vijon të ketë probleme me muskujt e barkut. Lojtari e ka pasur këtë shqetësim që prej fundit të sezonit të kaluar dhe ende nuk është rikuperuar plotësisht. Përveç problemeve fizike, Dinamos i mungojnë edhe disa elementë të rëndësishëm të grupit, pasi një pjesë e lojtarëve të pritur nuk janë bashkuar ende me skuadrën. Kjo ka bërë që stafi teknik të mos ketë ende në dispozicion të gjithë organikën për të zhvilluar përgatitjet me grup të plotë.
Një nga lojtarët që pritet të bashkohet me skuadrën, është Lorran, teksa mungojnë edhe të tjerë nga pushimet. Ndërkohë, klubi është ende në pritje të disa afrimeve të tjera që janë planifikuar për këtë merkato. Plotësimi i organikës mbetet një nga prioritetet kryesore përpara nisjes së aventurës europiane.
PORTUGEZËT- Sa i përket lojtarëve portugezë, situata mbetet ende e hapur. Nani nuk ka mbërritur akoma në grumbullimin e skuadrës dhe nuk ka një konfirmim përfundimtar nëse do t’i bashkohet Dinamos. Klubi dhe lojtari pritet të sqarojnë në ditët e ardhshme të ardhmen e tij, me lojtarin që ka kontratë, por duket i pakënaqur dhe kërkon largim.
Ndërkohë, për Teikseirën gjasat për një rikthim te blutë duken të pakta. Futbollisti portugez nuk pritet të jetë pjesë e skuadrës për sezonin e ri, duke bërë që Dinamo të kërkojë alternativa të tjera për të përforcuar grupin. Me afrimet ende në proces dhe me disa çështje për t’u zgjidhur, Dinamo vazhdon përgatitjet me synimin për të qenë gati në momentin kur të nisë sfida europiane.













