Synon të zëvendësojë Manellarin, Elbasani nis bisedimet me mesfushorin belg
Elbasani nuk ka ndërmend të ndalet në merkaton e verës. Pasi ka përforcuar repartin ofensiv me disa afrime të rëndësishme, drejtuesit verdheblu kanë kthyer tashmë vëmendjen te mesfusha, aty ku synohet të gjendet zëvendësuesi ideal i Isi Manellarit, një prej largimeve më të rëndësishme të kësaj vere.
Klubi po punon në disa pista, por emri që ka fi tuar më shumë terren në orët e fundit është ai i Samuel Asomës. Mesfushori 23-vjeçar me pasaportë belge dhe origjinë nga Gana pëlqehet nga stafi teknik dhe drejtuesit, të cilët e konsiderojnë një futbollist me profilin e duhur për mënyrën e lojës që synon të aplikojë Ivan Gvozdenoviç. Burime pranë klubit bëjnë me dije se kontaktet mes palëve kanë nisur prej disa ditësh dhe se ekziston një gatishmëri për të bashkëpunuar, megjithëse marrëveshja përfundimtare mbetet ende për t’u arritur.
MESFUSHA – Largimi i Isi Manellarit ka lënë një boshllëk të rëndësishëm në mesin e fushës dhe Elbasani kërkon ta plotësojë atë me një futbollist që të garantojë ritëm, intensitet dhe ekuilibër në lojë. Pikërisht për këtë arsye, profili i Samuel Asomës shihet si shumë i përshtatshëm për kërkesat e stafi t teknik. Nëse transferimi realizohet, 23-vjeçari pritet të marrë një rol të rëndësishëm në formacionin titullar, duke krijuar dyshen e qendrës së mesfushës me Abas Ibrahim. Ideja e trajnerit është që skuadra të ketë më shumë forcë fizike, kontroll të topit dhe dinamizëm në repartin që konsiderohet zemra e ekipit. Drejtuesit besojnë se mesfusha është një repart që ka nevojë për më shumë alternativa cilësore, sidomos duke pasur parasysh sezonin e ngarkuar që e pret skuadrën mes kampionatit dhe angazhimeve në arenën europiane.
PROFILI – Samuel Asoma është vetëm 23 vjeç, por ka një eksperiencë të rëndësishme në futbollin europian. Ai zotëron pasaportë belge, ndërsa origjina e tij është nga Gana. Bëhet fjalë për një mesfushor qendre, i cili spikat për aftësinë në rikuperimin e topit, disiplinën taktike dhe organizimin e lojës nga prapavija. Në vitet e para të karrierës ai u konsiderua si një nga talentet më premtues në Belgjikë, falë paraqitjeve me ekipet e moshave dhe zhvillimit të tij në një nga akademitë më prestigjioze të futbollit belg.
Asoma është produkt i akademisë së Klub Bryzh, klubit që njihet për prodhimin e shumë futbollistëve cilësorë dhe për investimin te të rinjtë. Pikërisht aty ai kreu gjithë formimin futbollistik, duke u dalluar si një nga elementët më interesantë të brezit të tij. Paraqitjet e mira i dhanë mundësinë të përfaqësonte edhe Belgjikën në ekipet kombëtare të moshave, duke qenë pjesë e përfaqësueseve deri te U-19. Më pas karriera e tij mori drejtimin e futbollit skandinav, ku vazhdoi të fi tonte eksperiencë në një kampionat fi zik dhe shumë konkurrues. Aktualisht, mesfushori aktivizohet me Helsingborgs IF në Suedi, ndërsa më parë ka veshur edhe fanellat e Vasteras SK dhe Trelleborgs FF, duke krijuar një eksperiencë të rëndësishme në futbollin suedez.
TRATATIVAT – Për momentin Samuel Asoma mbetet një dëshirë konkrete e Elbasanit, ndërsa negociatat mes palëve vazhdojnë. Burime pranë klubit bëjnë me dije se janë dhënë sinjale pozitive për një bashkëpunim dhe se ekziston optimizëm që bisedimet të avancojnë në ditët në vijim. Megjithatë, marrëveshja nuk është mbyllur ende dhe drejtuesit po punojnë për të gjetur gjuhën e përbashkët me futbollistin dhe përfaqësuesit e tij. Elbasani synon të mbyllë sa më shpejt operacionin, në mënyrë që mesfushori të bashkohet me skuadrën gjatë fazës përgatitore dhe të jetë në dispozicion për sfidat e para zyrtare të sezonit. Nëse transferimi konkretizohet, Asoma do të ishte një tjetër afrim me profil ndërkombëtar për verdheblutë, që këtë verë po ndërtojnë një skuadër tërësisht të rinovuar, me objektivin për të qenë protagonistë në Superiore dhe për të përfaqësuar sa më denjësisht klubin në Konferencë Ligë.

VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL













