Bylisi bën plane, përgatitjet nisin në korrik. Faza përgatitore do të zhvillohet me disa etapa

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 19, 2026 | 10:54

Bylisi bën plane, përgatitjet nisin në korrik. Faza përgatitore do të zhvillohet me disa etapa

Bylisi ka nisur planifikimin e fazës përgatitore në kuadër të sezonit të ri futbollistik, që do të zhvillohet në disa etapa. Fillimisht, drejtuesit do të përcaktojnë kontingjentin e lojtarëve që do të përfaqësojnë Bylisin në kampionatin e ardhshëm. Një pjesë e lojtarëve të skuadrës së sezonit të kaluar janë pa kontrata dhe largimi i tyre konsiderohet i pashmangshëm.

bylis

Paralelisht me këtë proces, priten edhe lëvizje në merkato, ku nuk përjashtohen shitje lojtarësh. Kjo periudhë vlerësimi dhe vendimmarrjeje mund të zgjasë deri në 10-ditëshin e parë të muajit korrik. Nga ana tjetër, klubi synon që brenda muajit të ardhshëm të nisë zyrtarisht përgatitjet për sezonin e ri. Data e grumbullimit mbetet ende për t’u përcaktuar mes 1 dhe 7 korrikut, ndërsa në klub po punohet edhe për infrastrukturën. Fillimisht mund të zhvillohet një fazë testuese me lojtarë të ekipit B, të akademisë, si dhe futbollistë vendas e të huaj që synojnë një vend në skuadër. Pas kësaj periudhe seleksionimi, grupi i plotë pritet të zbresë në fushë rreth datës 10 korrik. Faza e parë përgatitore do të zhvillohet në Ballsh, ku ekipi ka në dispozicion tre fusha stërvitore, dy me bar natyral dhe një me bar artificial.

Drejtuesit besojnë se koha në dispozicion është e mjaftueshme për të ndërtuar një ekip konkurrues dhe dinjitoz për sezonin e ri. Deri tani është zyrtarizuar vetëm largimi i Robert Muriç, i cili do të vazhdojë karrierën në Maltë me kampionët e Florianës. Për pjesën tjetër të grupit nuk ka ende lëvizje zyrtare. Sezoni i ri në Kategorinë e Parë pritet të jetë ndër më konkurruesit e viteve të fundit. Edhe pse ende nuk janë zyrtarizuar strukturat e garave, në këtë kampionat do të marrin pjesë disa skuadra me traditë dhe objektiva madhorë. Bylisi, rekordmen për numrin e titujve kampion në këtë kategori, po punon në qetësi për të hedhur bazat e një sezoni të suksesshëm, ndërsa në ditët e para të korrikut pritet të nisë zyrtarisht rrugëtimin drejt objektivave të rinj.

ERJON SALIU- PANORAMASPORT.AL