Poçetino i mahnitur nga ish-lojtari i tij: Mesi vjen nga një planet tjetër
Trajneri i kombëtares së Amerikës, Mauricio Poçetino, nuk i kurseu elozhet për Lionel Mesi pas paraqitjes së jashtëzakonshme të kapitenit argjentinas kundër Algjerisë dhe deklaroi se Argjentina është skuadra që të gjithë duhet ta mundin në këtë Kupë Bote.
Mesi realizoi të tre golat në fitoren 3-0 të Argjentinës ndaj Algjerisë, duke e nisur në mënyrë perfekte mbrojtjen e titullit botëror. Duke folur për radion spanjolle “Cadena Cope”, Poçetino tha: “Ai vjen nga një planet tjetër. Çdo krahasim apo metaforë që mund të përdorim, çdo mbiemër për ta përshkruar, është i pamjaftueshëm. Nuk do të ishte e drejtë ndaj tij.”
REKORD HISTORIK PËR MESIN “Hattrick”-u kundër Algjerisë ishte i pari i Mesit në historinë e Kupës së Botës dhe i mundësoi atij të barazojë rekordin e legjendës gjermane Miroslav Klose me 16 gola të shënuar në Botëror. Poçetino e njeh mirë bashkëkombësin e tij, pasi e ka drejtuar te Paris Saint-Germain gjatë sezonit 2021-2022. Megjithatë, edhe ai mbetet i habitur nga niveli që Mesi vazhdon të tregojë në moshën 38-vjeçare.
Poçetino vazhdoi: “Është e pabesueshme ta shohësh. Është e pabesueshme të shohësh kampionët e botës, lojtarët e tyre, stafin teknik dhe tifozët. Ishte ndeshja e parë që pamë ku dëgjohej më shumë turma sesa komentatorët. Dhe qershia mbi tortë është Mesi.”
ARGJENTINA, FAVORITJA KRYESORE Sipas trajnerit argjentinas, paraqitja në ndeshjen e parë konfirmoi se Argjentina mbetet favoritja kryesore për triumfin final.
“Mendoj se ata janë skuadra që duhet mundur. Janë favoritët. Janë pretendentët kryesorë dhe e treguan këtë që në ndeshjen e parë, e cila është gjithmonë e vështirë”, tha ai.
Pas suksesit ndaj Algjerisë, Argjentina do të luajë ndeshjen e dytë të Grupit J kundër Austrisë më 22 qershor në Arlington, ndërsa fazën e grupeve do ta mbyllë më 27 qershor ndaj Jordanisë.
PANORAMASPORT.AL













