Federata në Kosovë publikon njoftimin, ndryshe nga FSHF nuk ndryshon planin për sezonin e ri
Federata e Futbollit të Kosovës njoftoi se sezoni i ri i Superligës dhe Ligës së Parë do të nisë më 15 gusht. Ndryshe nga Federata Shqiptare e Futbollit, që projekton shtyrjen e nisjes së kampionatit në shtator, Kosova nuk ka bërë të njëjtën gjë.

Në Kosovë nuk janë ndikuar nga pjesëmarrja e ekipit U-21 në Lojërat Mesdhetare “Taranto 2026”. Nga data 21 gusht deri më 3 shtator do të zgjasin këto lojëra, ndërsa FSHF mendon të shtyjë nisjen e kampionatit për këtë fakt.
Nga ana e Komitetit Ekzekutiv të FSHF ndërkohë pritet zyrtarizimi i vendimeve të rëndësishme. Një prej tyre është heqja e Final Four.
Njoftimi i FFK: “Federata e Futbollit e Kosovës njofton se garat në Superligë dhe në Ligën e Parë për edicionin garues 2026/27 do të fillojnë më 15 gusht.
Fillimi i kampionatit në mesin e muajit gusht do t’u mundësojë skuadrave kohë të mjaftueshme për fazën përgatitore verore, zhvillimin e ndeshjeve kontrolluese dhe kompletimin e skuadrave para nisjes së garave zyrtare.
Ndërkohë, organet e FFK-së janë duke finalizuar të gjitha përgatitjet organizative për sezonin e ri, teksa detajet lidhur me shortin e garave, orarin e ndeshjeve dhe kalendarin për sezonin 2026/27 do të bëhen të ditura në javët në vijim”.
EMANUEL LOCI-PANORAMASPORT.AL













