MotoGP, Markez i karikuar: Mendërisht jam më i fortë se kurrë
Mark Markez mbërrin në Çmimin e Madh të Çekisë në MotoGP me besim të lartë pas suksesit të fundit në Hungari, por ende me disa shqetësime për gjendjen fizike, veçanërisht për krahun e djathtë që vazhdon ta ndiejë ndryshe pas problemeve të viteve të fundit. Piloti spanjoll deklaroi gjatë konferencës se ndihet më mirë se në Muxhelo dhe se objektivi kryesor është të kuptojë çdo ditë gjendjen e tij fizike.

“Kam shpejtësi dhe mund të jem konkurrues në një xhiro, por duhet të përmirësoj rezistencën fizike”, tha Markez, duke theksuar se situata aktuale është shumë më e mirë se në fillim të sezonit, kur humbiste kontrollin e krahut gjatë garave. Megjithatë, tetë herë kampioni i botës është i bindur për forcën e tij mendore. “Psikologjikisht jam më i fortë se kurrë, sepse kam kaluar momente shumë të vështira.
Kjo nuk do të thotë se jam më i mirë, por jam më i fortë”, u shpreh ai. Brno nuk konsiderohet ndër pistat e tij të preferuara për shkak të numrit më të madh të kthesave djathtas, por Markez ka fituar katër herë aty, përfshirë edhe sezonin e kaluar. Ai beson se nëse është në gjendje të mirë fizike, shpejtësia do të vijë natyrshëm. Spanjolli foli edhe për testet e motorëve të rinj 850cc që do të përdoren nga viti 2027, duke theksuar se ndryshimi më i madh do të jenë gomat “Pirelli”.
Ai gjithashtu u pajtua me Pedro Akostën se diferencat mes markave vazhdojnë të luajnë rol të rëndësishëm në rezultatet e kampionatit. Jashtë pistës, Markez tregoi se vazhdon të mbështesë Spanjën për triumfin në Kupën e Botës, ndërsa nuk përjashtoi as Argjentinën, për shkak të admirimit që ka për Lionel Mesin. Kur u pyet se kush do ta fitojë Kupën e Botës, përgjigjja e tij ishte e menjëhershme: “Spanja”. Më pas shtoi: “Spanja ose Argjentina, për shkak të Leo Mesit”. Ndërkohë, Marko Bexeki shkaktoi të qeshura mes të pranishmëve me një koment ironik: “Një gjë është e sigurt, nuk do të jetë Italia”.
ARTIN LLESHAJ-PANORAMASPORT.AL













