SPECIALE/ Presidentët e federatave, me karrige të “salduara”. Ja “timonierët” në Shqipëri!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 19, 2026 | 16:09

SPECIALE/ Presidentët e federatave, me karrige të “salduara”. Ja “timonierët” në Shqipëri!

Sporti shqiptar ka njohur ndryshime të shumta në fushën e garës, rezultatet ndërkombëtare dhe organizimin institucional. Breza sportistësh mbyllin karrierat, duke u lënë stafetën më të rinjve, në një realitet sportiv që vazhdon të mbetet i vështirë në vendin tonë, ku infrastruktura dhe ana financiare vijojnë të jetë problemet më të mëdha.cdsfNë radhët e sportistëve, normalisht, ciklet mbyllen me kalimin e viteve në gara, me moshën që peshon në performancën e rezultateve. Por, një element që ka mbetur pothuajse i pandryshuar ndër vite është jetëgjatësia e drejtuesve në krye të federatave sportive. Në shumë prej federatave më të rëndësishme të vendit, presidentët janë në detyrë për një dekadë ose më shumë, duke krijuar një model drejtimi afatgjatë që vazhdon. Lista e presidentëve aktualë dhe kohëzgjatja e tyre në krye të federatave përkatëse e ilustron qartë këtë realitet, me pjesën më të rëndësishme të presidentëve që duket se i kanë “salduar” karriget.

Duke e nisur nga sporti më popullor, në Federatën Shqiptare të Futbollit, Armand Duka mban postin e presidentit që prej vitit 2002, duke qenë një nga drejtuesit më jetëgjatë në historinë e sportit shqiptar. Gjatë kësaj periudhe, futbolli ynë ka përjetuar zhvillime të rëndësishme, përfshirë kualifikimin historik në Kampionatin Europian 2016, duke bërë “bis” edhe me kualifikimin në Europianin 2024. Por, njëkohësisht janë zhvilluar edhe debate të vazhdueshme mbi modelin e qeverisjes së federatës dhe me besueshmërinë e ulët të produktit vendës, kampionatit kombëtar. Edhe më i gjatë është mandati i Skënder Anxhakut në krye të Federatës Shqiptare të Çiklizmit.

Ai e drejton këtë institucion që nga viti 2000, duke kaluar mbi një çerek shekulli në krye të sportit të dyrrotakut, për të mbajtur edhe statusin e presidentit aktual më jetëgjatë në drejtim të një federate në Shqipëri. Një tjetër rast domethënës është ai Avni Ponarit, i cili mban “çelësat” e Federatës Shqiptare të Basketbollit që prej vitit 2007. Në kategorinë e presidentëve me mbi një dekadë në krye të federatave të tyre bëjnë pjesë edhe Agim Çiraku në Federatën Shqiptare të Notit (nga viti 2013), Florend Kalivopulli në Federatën Shqiptare të Boksit (nga viti 2015), Erlind Pëllumbi në Federatën Shqiptare të Volejbollit (nga viti 2015) dhe Elez Gjoza në Federatën Shqiptare të Peshëngritjes.

Ky i fundit e ka drejtuar federatën nga viti 2012 deri në vitin 2018 dhe më pas është rikthyer në krye të saj nga viti 2020, duke vijuar të jetë edhe sot. Në Federatën Shqiptare të Skive, Elvis Toçi është timonier që prej vitit 2018, ndërsa ka bërë “bingo” me Lara Kolturin, në një sport ku rezultatet dhe përfaqësimet tona kanë qenë modeste. Ndërkohë, federata të tjera kanë përjetuar ndryshime më të fundit në drejtim, janë Mundja, me Sahit Prizrenin që është president që nga viti 2020. Pikërisht në këtë sport Shqipëria ka shënuar edhe rezultatet e saj më të larta olimpike, duke marrë edhe dy medaljet e para në histori, dy të bronzta, të fituar me mundësit e natyralizuar kuqezi, Cherman Valiev dhe Islam Dudaev në Paris 2024.

Ndërkohë, duke kaluar te ajo që quhet edhe si “mbretëresha e sporteve”, Izmir Smajlaj mori drejtimin e Federatës Shqiptare të Atletikës në vitin 2025. Nëse analizohen mandatet e këtyre drejtuesve, vihet re se shumica e federatave kryesore sportive në Shqipëri drejtohen prej vitesh nga të njëjtat figura. Futbolli, basketbolli, çiklizmi, noti, boksi dhe volejbolli përbëjnë shembuj të qartë të këtij modeli, ku presidentët kanë arritur të sigurojnë rizgjedhje të njëpasnjëshme dhe të ruajnë kontrollin institucional për periudha të gjata. Kjo situatë ngre një debat të rëndësishëm për të ardhmen e sportit shqiptar, a është vazhdimësia garanci për zhvillim, apo sporti ka nevojë për një rotacion më të madh në drejtim?

FDGH

ARTIN LLESHAJ-PANORAMASPORT.AL