VIDEO/ “Nuk kam filluar doktor” i Martinit dhe “Ke qenë në Big Brother” i Kërnajës tensionojnë Hygerta Sakon. Prezantuesja e ka me shkodranin: I paedukatë
Post-ndeshja e të shtunës mes Partizanit dhe Vllaznisë ka qenë e pazakontë sa i përket paraqitjes së trajnerëve Edi Martini dhe Oltijon Kërnaja në emisionin “SuperGol” në RTSH për intervistat e zakonshme në përfundim të përballjes. Të dy trajnerët thumbuan prezantuesen Hygerta Sako dhe kjo e fundit nuk e fshehu edhe tensionin duke iu kundërpërgjigjur sidomos teknikut të shkodranëve.

Gjithçka nisi pikërisht me Martinin i cili e nisi prononcimin e tij me një batutë. “Shpresoj të mos jeni mërzitur”, tha Martini, duke thumbuar Sakon e cila njihet si tifoze e Partizanit, apo edhe Ardi Beharin i cili ka qenë një figurë pranë drejtuesve të klubit të kuq në vitet e kaluara. “Jo, këtu në studio asnjë s’më duket i mërzitur”, ishte përgjigja e prerë e Sakos.
SHIH VIDEON
Në fund të prononcimit, erdhi përplasja me Martnin, kur Sako pyeti trajnerin se si ishte situata e Bajramit që ishte në formacion por pastaj u hoq për dëmtim. “Unë nuk kam filluar punë doktor akoma, kur të filloj kam për të kthyer përgjigje çfarë dëmtimi ka, çfarë dëmtimi s’ka”, tha trajneri. “Por besoj se keni pyetur për këtë gjë, se jeni trajner”, insistoi prezantuesja. “Jo, nuk kam pyetur, nuk kam pyetur”, vazhdoi Martini. “Interesante kjo, se trajneri është i pari që pyet. Jeni i veçantë”, vijoi Sako. “Jo, unë nuk pyes. Jam i veçantë, duhet ta marrin vesh të gjithë që jam i veçantë”, tha Martini duke i dhënë fund intervistës. “Nuk po të shqetësojmë sepse dukesh shumë i tensionuar kur del në lidhje direkte, edhe pse në fitore”, tha më pas Sako.
SHIH VIDEON
Thumbimet i vazhdoi trajneri i Partizanit, Oltijon Kërnaja, i cili iu përgjigj prezantueses kur ajo theksoi se të kuqtë kishin pasur pikë të dobët në ndeshjet e fundit goditjet standarte. “Jo, nuk është e vërtetë, ndoshta se ke qenë në Big Brother atje dhe nuk e ke parë”, tha trajneri i Partizanit, duke sjellë reagimin e Sakos. “Jam informuar Oltijon, pa merak”, tha ajo.
SHIH VIDEON
Në fund të intervistës, pas një tjetër debati me Kërnajën i cili kishte pretendimet e tij për vendimet e gjyqtarëve dhe mënyrën se si sulmohej nga studiot televizive, Sako nuk u përmbajt.
“Se ç’paskan trajnerët sot, qenkan…”, tha fillimisht ajo, e ndërprerë nga Behari. “Nuk paska qenë superndeshje sot, paska qenë çmenduri se edhe ky i pakënaqur, edhe Edi i pakënaqur”, tha Behari. “Jo, Edi u tregua i paedukatë në fakt. Përveç sjelljeve josportive ndaj kundërshtarëve, tani ka filluar të bëjë edhe joetikën ndaj gazetarëve. Por është puna e vet. Përshëndetje!”, tha Sako duke bërë me dorë nga kamera për të përshëndetur në këtë mënyrë të pazakontë trajnerin shkodran.
SHIH VIDEON
PANORAMASPORT.AL













