“Kishim nevojë për një javë më shumë”, por Gvozdenoviç e sheh gati Elbasanin para Europës: Janë 12 të larguar, jam i sigurt që do bëjmë skuadër të fortë
Trajneri i Elbasanit, Ivan Gvozdenoviç, është shfaqur sot para mediave në vigjilje të ndeshjes së Ligës së Konferencës që skuadra e tij do të luajë nesër kundër BATE Borisov.

Trajneri i verdhebluve ka pranuar se ekipi ka pësuar shumë ndryshime, me 12 lojtarë të larguar, por edhe ka treguar bindjen që ka se skuadra do të dijë të bëjë gjërat siç duhet me afrimet e reja.
“Nëse jam i saktë janë 12 lojtarë të larguar, por kjo është situata. Tani nuk mund të flasim shumë pse, sepse nesër kemi një ndeshje shumë të rëndësishme dhe jemi të fokusuar vetëm për BATE Borisov nesër. Ndoshta një ditë tjetër mund të flasim pak më shumë për këto gjëra. Por kjo është situata dhe jam i sigurt me ato 6 lojtarë, kemi ende kohë derisa të fillojë kampionati, do të bëjmë përsëri një skuadër konkurrente, një skuadër të fortë edhe për kampionatin. Por tani, mund të flasim vetëm për nesër dhe BATE Borisov.
Lojtarët janë gati, edhe ju do e shihni nesër. Patjetër kishim nevojë ndoshta për një javë më shumë në fazën përgatitore, por e thashë nga fillimi që kjo është situata. Unë mendoj që kemi një skuadër të mirë, kemi lojtarë me eksperiencë dhe jam i sigurt që ata e dinë se si do të ruajnë forcat deri në minutat e fundit apo në të 95-tën, varet nga shtesa.
Ne kemi dy ndeshje, nesër dhe pastaj me datë 16. Jam i sigurt që nuk varet gjithçka nga nesër, sepse deri në ndeshjen e datës 16, gjithçka do shkojë e hapur. Patjetër do të provojmë të gjitha në fushë, do të provojmë të fitojmë apo bëjmë rezultat pozitiv. Por përballe kemi një skuadër të mirë si BATE Borisov, një skuadër me emër të madh. Kjo është situata, por nuk mund të them për rezultatin, nuk mund të them se është e sigurt që do të fitojmë. Por mund të them që do të luftojmë fort, do të provojmë të bëjmë një ndeshje të mirë në fushë bashkë me tifozët, se jam i sigurt nesër do kemi si gjithmonë mbështetje nga tifozët, sepse kemi nevojë. Pastaj të shohim, por jam shumë pozitiv dhe kam besim të madh te skuadra jonë.
Ishim afërsisht dy javë bashkë në fazë, kemi grup të fortë. Këta lojtarë janë përshtatur shumë shpejt. Kjo është pozitive për ne, se nga 6 lojtarë të afruar, kemi 4 lojtarë shqiptarë dhe kjo është shumë pozitive. Jemi bashkuar si grup, përsëri jemi të fortë dhe është e sigurt që nesër fusha do t’i tregojë të gjitha.
BATE ka emër të madh dhe ka një krizë, por në kampionatin bjellorus. Nesër është një ndeshje tjetër, delikate, është ndeshje në Europë. Ata kanë shumë eksperiencë dhe jam i sigurt që kanë një motivim tjetër për nesër. Kampionati dhe Europa nuk janë kompeticione të njëllojta dhe jam i sigurt nesër BATE do të luftojë shumë fort në fushë.
Rregulli është që nuk ka më avantazhin e golit në fushën kundërshtare. Do jetë njësoj edhe në Elbasan, edhe në Azerbajxhan ku luhet kthimi. Fusha nuk është avantazh i madh. Por me tifozët këtu do jemi më të fortë. Ndoshta është një avantazh i vogël, por prapë nuk mund të them se jemi në shumë avantazh.
Nëse fitojmë ndaj BATE dhe kualifikohemi, do të jetë një dhuratë shumë e mirë për ne, për tifozët, për qytetin e lojtarët, do të ishte shumë e bukur”, tha Gvozdenoviç për mediat.
PANORAMASPORT.AL













