EKSKLUZIVE/ Manellari flet pas transferimit te blutë: Dinjitozë në Europë, ju tregoj si më bindi Dinamo

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 6, 2026 | 17:07

EKSKLUZIVE/ Manellari flet pas transferimit te blutë: Dinjitozë në Europë, ju tregoj si më bindi Dinamo

Isi Manellari vendosi t’i jepte fund aventurës së tij me Elbasanin pas vetëm një sezoni, duke firmosur me Dinamon.

MANELLARI

Mesfushori që në të shkuarën ka spikatur edhe me Laçin, shprehet në një intervistë për “Panorama Sport” se drejtuesit e Dinamos e kanë bindur menjëherë pas përfundimit të kampionatit. Ai ndalet te objektivat e skuadrës, duke folur për Ligën e Konferencës dhe kampionatin, ku shprehet se pavarësisht largimeve, skuadra është solide dhe e fortë.

Pas eksperiencës me Elbasanin, transferohesh te Dinamo. Si lindi ky kalim dhe çfarë të bindi të zgjidhje këtë klub?

Pas një viti te Elbasani, ku në fund të sezonit kontrata ime mbaroi, u bë i mundur kalimi te Dinamo. Kemi pasur bisedime me drejtuesit e klubit menjëherë pas përfundimit të kampionatit dhe gjithçka u konkretizua shumë shpejt dhe në mënyrë të rregullt.

Në krahasim me Laçin dhe Elbasanin, çfarë pret ndryshe nga kjo aventurë e re në kryeqytet me Dinamon?

Nuk mund t’i krahasoj si eksperienca të drejtpërdrejta, por sigurisht pres dhe shpresoj të kemi një përfaqësim sa më të mirë, veçanërisht në ndeshjet europiane. Dinamo ka një histori të gjatë në kupat e Europës dhe ka treguar se mund të jetë konkurruese edhe në nivele të larta, ndaj pritshmëritë janë më të mëdha dhe përgjegjësia gjithashtu.

A pate oferta të tjera gjatë merkatos, apo Dinamo ishte zgjedhja jote e parë pas fundit të sezonit?

Kam pasur edhe oferta të tjera gjatë merkatos, por Dinamo ka qenë ndër skuadrat e para që shprehu interes konkret për të më afruar në ekip. Duke parë cilësinë e skuadrës, arritjet e viteve të fundit, rëndësinë e klubit, historinë e Dinamos si emër i madh në futbollin shqiptar, si dhe organizimin dhe investimet e presidentit, ishte zgjedhja ime e parë dhe më e bindura pa shumë hezitim.

Dinamo do të luajë në Europë këtë sezon, ashtu si edhe Elbasani. Si i sheh shanset e skuadrave?

Kemi përballë një kundërshtar shumë të fortë si Astana, i cili meriton respekt maksimal. Megjithatë, ne kemi besim tek aftësitë tona si grup dhe tek puna që kemi bërë në përgatitje. Dinamo ka treguar edhe më parë se mund të përballet denjësisht me ekipe me emra të mëdhenj dhe të kalojë ture. Edhe Elbasani ka një kundërshtar të fortë, por pavarësisht largimeve, besoj se kanë krijuar një ekip të konsoliduar dhe do të luftojnë për shanset e tyre deri në fund.

Çfarë objektivash i ke vendosur vetes me fanellën e Dinamos, si në aspektin personal ashtu edhe në atë ekipor?

Objektivi im personal është të jap 100%, si gjithmonë, dhe të jem sa më produktiv dhe i dobishëm për ekipin në çdo ndeshje. Besoj se objektivat personale lidhen ngushtë me ato të ekipit, ndaj shpresoj të kemi një ecuri shumë të mirë si në Europë ashtu edhe në kampionat gjatë gjithë sezonit.

Cilat mendon se janë objektivat e klubit për sezonin e ri?

A është titulli një synim real? Dinamo vitet e fundit ka qenë gjithmonë në katërshen e parë dhe ka luftuar për çdo trofe, dhe mendoj se ky do të jetë edhe objektivi këtë sezon në kampionat. Sigurisht, edhe Europa është një tjetër objektiv i rëndësishëm, ky synojmë të kalojmë sa më shumë ture dhe, pse jo, të synojmë fazën e grupeve të Conference League, që do të ishte një arritje shumë e madhe për klubin.

Si të është dukur skuadra në ditët e para? A ke pasur mundësi të njihesh me grupin dhe stafin teknik?

Ditët e para kanë qenë shumë të mira dhe intensive. Jam njohur me djemtë e ekipit dhe stafin teknik, i cili është një grup shumë i mirë dhe profesional. Disa lojtarë i njihja edhe më parë, dhe të gjithë më kanë pritur shumë mirë, gjë që e ka bërë përshtatjen më të lehtë dhe më të shpejtë.

Dinamo ka afruar disa lojtarë të rinj, por ka pasur edhe largime. Si e sheh në krahasim me vjet kur ishe kundërshtar?

Kemi pasur disa largime me peshë, por boshti i ekipit është ruajtur dhe mbetet solid. Janë lojtarë me eksperiencë dhe shumë cilësi. Afrimet e reja kanë rritur konkurrencën në skuadër dhe kanë plotësuar të gjitha repartet. Besoj se do të jetë një Dinamo po aq e fortë sa vitet e fundit, ndoshta edhe më konkurruese dhe më e balancuar.

Çfarë pret nga ndeshjet europiane dhe sa larg beson se mund të shkojë Dinamo në këtë kompeticion?

Nga ndeshjet europiane presim të mos jemi thjesht kalimtarë, por të përfaqësohemi denjësisht dhe të tregojmë vlerat tona ndaj çdo kundërshtari, pavarësisht emrit që ka. Kemi punuar fort për këto ndeshje dhe besoj se Dinamo mund të ketë një ecuri shumë të mirë këtë sezon në Europë. Megjithatë, fokusi ynë kryesor mbetet ndeshja e radhës dhe konkretisht përballja me Astanën, duke besuar maksimalisht tek aftësitë tona dhe puna që kemi bërë si skuadër.

ERJON ALLARAJ-PANORAMASPORT.AL