E treta e vërteta, Pogradeci bën gati “armët” për ngjitjen në Kategorinë Superiore
Pogradeci po bëhet gati për fillimin e punës për sezonin e ri, ku do të marrë formë edhe skuadra që do të përfaqësojë liqenorët në edicionin 2026-2027. Edhe pse në pamje të parë duket se klubi ka kaluar një periudhë të qetë pushimesh, në prapaskenë ka ndodhur e kundërta.

Drejtuesit kanë punuar intensivisht në merkato për t’i siguruar trajnerit Emiljano Çela elementët e duhur për të ndërtuar një skuadër konkurruese. Sipas informacioneve, klubi ka mbyllur disa marrëveshje të rëndësishme, ndërsa tregu kosovar ka qenë një nga prioritetet kryesore. Më herët është raportuar se sulmuesi Silvio Zogaj do të vihet sërish nën urdhrat e trajnerit Çela, duke u rikthyer në Shqipëri pas dy sezonesh të kaluara në futbollin e Kosovës. Gjithashtu, është bërë e ditur se Pogradeci ka arritur akordin edhe me dy futbollistë të kombëtares së Namibisë, të cilët vijnë nga Liria e Prizrenit. Bëhet fjalë për mesfushorin qendror Romeo Kasume dhe sulmuesin e krahut Ueturu Kambato. Sipas zërave të merkatos, liqenorët kanë finalizuar marrëveshjen edhe me Segerso Gecin.
Mbrojtësi 24-vjeçar pritet t’i bashkohet skuadrës së Pogradecit pas eksperiencës së suksesshme me Vorën, si në Superiore ashtu edhe në Kategorinë e Parë, ku u shpall kampion. Natyrisht, klubi ende nuk ka zyrtarizuar këto afrime, por gjithçka pritet të bëhet e ditur me nisjen e fazës përgatitore. Lëvizjet e deritanishme tregojnë qartë se Pogradeci synon të jetë edhe një herë një nga pretendentët kryesorë për ngjitjen në elitën e futbollit shqiptar. Pas dy sezonesh ku objektivi mbeti i parealizuar, liqenorët shpresojnë që kampionati 2026-2027 të jetë më në fund “i treti, i vërteti” për rikthimin në Superiore.
PANORAMASPORT.AL













