Besa “blindon” nigerianin, sulmuesi mbetet nën urdhrat e trajnerit Maganit
Besa e Kavajës e ka nisur me vrull punën për sezonin e ri në Kategorinë e Parë, me objektivin e qartë për t’i dhënë fund pritjes 13-vjeçare dhe për t’u rikthyer në elitën e futbollit shqiptar. Skuadra e drejtuar nga Gugash Magani synon të ndërtojë një grup konkurrues, i aftë për të realizuar misionin e madh të ngjitjes në Superiore.

Për të arritur këtë objektiv, drejtuesit kanë lëvizur me kujdes në merkato, duke afruar futbollistë cilësorë, por edhe duke ruajtur boshtin e skuadrës së sezonit të kaluar. Një nga rinovimet më të rëndësishme është ai i sulmuesit Godsuill Çinuendu. Edhe pse pati një fillim jo shumë bindës me fanellën verdhezi, nigeriani arriti të tregojë potencialin e tij në fazën finale të kampionatit, duke fituar besimin e trajnerit Gugash Magani dhe të drejtuesve të klubit. Rinovimi i kontratës dëshmon se stafi teknik beson te cilësitë e 23-vjeçarit dhe e konsideron atë një nga armët kryesore për sezonin e ri.
Pas bisedimeve mes palëve u arrit marrëveshja për vazhdimin e bashkëpunimit, ndërsa tani pritet që Çinuendu ta shpërblejë këtë besim me paraqitje dhe gola në fushën e lojës. Pavarësisht ofertave nga klube të elitës së Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës, Çinuendu ka vendosur të vazhdojë aventurën me Besën. Me këtë lëvizje, Besa konfirmon se nuk synon vetëm të ndërtojë një skuadër konkurruese, por edhe të ruajë elementët që mund të bëjnë diferencën në garën për rikthimin në Superiore.
PANORAMASPORT.AL













