Provat mbaruan, tani flet Martini me formacionin gati te Vllaznia
Vllaznia e sezonit 2026-2027 do të jetë një skuadër ndryshe nga ajo e një viti më parë. Kuqeblutë kanë bërë ndryshime të rëndësishme në merkato, duke afruar një numër të konsiderueshëm futbollistësh, ndërsa tashmë gjithçka është përqendruar te sfida e parë zyrtare e sezonit.

Të enjten, shkodranët do të zbresin në fushë përballë Malishevës në turin e parë të Conference League, në një ndeshje ku synimi i vetëm mbetet marrja e një rezultati pozitiv. Trajneri Martini, së bashku me stafin e tij, vijon të punojë për të ndërtuar formacionin më konkurrues të mundshëm. Në portë, gjithçka të çon te Jukaj, i cili pritet të nisë si titullar.
Gardiani shkodran duket se ka fituar besimin e stafit teknik, ndërsa rivali i tij, Pohls, nuk është aktivizuar si titullar në asnjërën prej ndeshjeve miqësore të kësaj vere, një sinjal që flet qartë për hierarkinë e krijuar deri në këtë moment. Edhe në repartin difensiv priten ndryshime të rëndësishme. Afrimet e fundit kanë ndryshuar balancat dhe aktualisht Dumfur, Çelikoviç dhe Pusi shihen si favoritë për një vend në qendër të mbrojtjes.
Në krahun e djathtë pritet të aktivizohet Gurishta, ndërsa në të majtin Musta duket se ka fituar avantazh për një fanellë titullari. Përvoja dhe njohja e kampionatit shqiptar nga disa prej këtyre futbollistëve konsiderohen si një vlerë e shtuar për një sfidë me peshë europiane. Në mesin e fushës, Qato dhe Dros pritet të jenë pikat kyçe të organizimit të lojës, me Muratajn që shihet si elementi që do të plotësojë repartin.
Ndërkohë, edhe pse emri i Kallakut vazhdon të lidhet me një rikthim te Vllaznia, mesfushori vështirë se do të jetë titullar ndaj Malishevës. Arsyeja është e thjeshtë: ai nuk ka zhvilluar fazën përgatitore me skuadrën dhe do t’i duhet kohë për të arritur ritmin e pjesës tjetër të grupit. Në repartin ofensiv, besimi i stafit teknik pritet të bazohet te dyshja Balaj Toma.
Përvoja, cilësitë individuale dhe aftësia për të bërë diferencën në momentet vendimtare i bëjnë dy sulmuesit armët kryesore të Vllaznisë në prag të ndeshjes së parë zyrtare të sezonit. Tashmë mbetet për t’u parë nëse ky formacion do të konfirmohet nga Martini, por gjithçka lë të kuptohet se kuqeblutë janë pranë “11”- shes që do të nisë rrugëtimin europian.
ENDRI ÇINARI-PANORAMASPORT.AL













