Florini zbarkon me këngë dasmash, nis “ahengu” te Partizani
E diela e verës në Shqipëri është tradicionalisht dita e dasmave. Pikërisht në një atmosferë të tillë ka zgjedhur të “hyjë në skenë” edhe trajneri i ri i Partizanit. Jo me konferencë shtypi, jo me deklarata të gjata apo premtime për titull, por me një hit të njohur dasmash.

Florin Bratu është trajneri i ri i të kuqve dhe tashmë ka mbërritur në Tiranë. Lajmin e ka bërë të ditur dje vetë përmes një postimi në “InstaStory”, ku krahas logos së Partizanit dhe inicialeve të tij, në sfond dëgjohet kënga e njohur shqiptare: “O i lumi unë”. Një zgjedhje që nuk kaloi pa u vënë re dhe që të lë të kuptosh se rumuni nuk është nga ata trajnerë që e marrin veten tepër seriozisht.
Një personazh që premton spektakël edhe jashtë perimetrit të fushës. Siç ka raportuar më herët “Panorama Sport”, sot Partizani rikthehet në fushë për të nisur zyrtarisht përgatitjet për sezonin e ri, ndërsa pritet edhe prezantimi i Florin Bratu. Ai bëhet trajneri i parë rumun në historinë e klubit dhe vazhdon “linjën ballkanike” të pankinës së kuqe.
Që nga viti 2023, Partizani ka eksperimentuar me trajnerë nga rajoni, fillimisht kroati Zoran Zekiç, më pas serbët Aleksandar Veselinoviç dhe Mladen Milinkoviç, ndërsa tani radha i takon rumunit Florin Bratu. Nisur nga hyrja që ka bërë, nuk do të ishte çudi që edhe klubi ta shoqëronte prezantimin me ndonjë kolonë zanore festive. Fundja, pas “O i lumi unë”, ndoshta do të shkonte për shtat edhe “O Florini i vogël”…

SHPRESA QË TË MOS E “KAPË SERIOZITETI” I STOLIT TË KUQ
Nga ajo që shfaq në rrjetet sociale, Bratu duket një personazh energjik, karizmatik dhe me sens humori. Në postimet e tij nuk mungojnë ironitë, thumbimet dhe momentet argëtuese, një profil jo shumë i zakonshëm për trajnerët që kanë drejtuar së fundmi Partizanin. Kjo mund të jetë një armë plus për të ulur tensionin në skuadër, për të krijuar një atmosferë më pozitive dhe për t’i dhënë grupit energjinë që shpeshherë mungon gjatë një sezoni të gjatë.
Sigurisht, tifozët do ta gjykojnë për rezultatet dhe jo për “play-list”-at në “Instagram”. Megjithatë, do të ishte interesante që Bratu të ruajë spontanitetin me të cilin po prezantohet dhe të mos përfundojë si disa nga paraardhësit e tij, të cilët me kalimin e javëve nisën të tingëllonin sikur intervistat ua lexonte një “kasetë” e përgatitur nga klubi. Për momentin, hyrja në skenë është premtuese. Te Partizani ka nisur “ahengu”, ndërsa tani mbetet të shihet nëse muzika do të vazhdojë edhe pas fishkëllimës së parë të kampionatit, apo do të zëvendësohet nga refreni i njohur i futbollit shqiptar: “Duam rezultate direkte!”
ILIR CARA-PANORAMASPORT.AL













