“Dua të qëndroj te Roma, për shqiptarët është vetëm Kombëtarja”, Kumbulla: Europiani na normalizon, vij në shtator

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 5, 2026 | 22:20

“Dua të qëndroj te Roma, për shqiptarët është vetëm Kombëtarja”, Kumbulla: Europiani na normalizon, vij në shtator

Marash Kumbulla është gati të nisë një kapitull të ri në karrierën e tij. Pas përfundimit të huazimit te Majorka, mbrojtësi i Kombëtares shqiptare do të rikthehet te Roma, ku do të provojë të bindë Gasperinin për një vend në skuadër.

kumbulla

Në një intervistë për “Sportitalia”, 25-vjeçari preku disa tema, duke folur për objektivat e Shqipërisë, trajnerin e ri të Kombëtares, eksperiencën në Spanjë, rikthimin te verdhekuqtë, raportin me Gasperinin dhe Ivan Juricc, si edhe fi nalen e Ligës së Europës, të humbur ndaj Seviljas në Budapest.

KOMBËTARJA- Kumbulla e nisi intervistën duke folur për Kombëtaren shqiptare dhe objektivat që, sipas tij, duhet të ketë skuadra në vitet e ardhshme. Mbrojtësi kuqezi komentoi edhe ardhjen e trajnerit të ri, Maran. “Personalisht nuk e njoh, por duke ndjekur Serie A kam parë se ka bërë një karrierë në nivele të larta. Ende nuk kemi folur, por jam i sigurt se kjo do të ndodhë në shtator”.

Për Kumbullën, Shqipëria nuk duhet ta konsiderojë më pjesëmarrjen në Kampionatin Europian si një arritje të jashtëzakonshme, por si një objektiv që duhet të përsëritet rregullisht. “Objektivi ynë duhet të jetë normalizimi i pjesëmarrjes në Europian.

Mendoj se do të ishte shumë bukur ta arrinim këtë objektiv. Kemi një publik të jashtëzakonshëm. Kur luan Shqipëria, për shqiptarët ekziston vetëm Kombëtarja. Shpesh, kur luajmë, shqiptarët që jetojnë jashtë kthehen në Shqipëri vetëm për të parë ndeshjen. Do të ishte shumë e rëndësishme ta arrinim këtë objektiv”, u shpreh ai.

ROMA- Mbrojtësi 25-vjeçar pritet t’i bashkohet Romës në grumbullimin veror, ndërsa e ardhmja e tij mbetet ende për t’u vendosur. Kontrata e tij me klubin verdhekuq është në fuqi deri në vitin 2028 dhe lojtari nuk e fsheh dëshirën për të punuar me Gasperinin. “Do të më pëlqente shumë të punoja me të. Kam punuar me të vitin e kaluar për një muaj gjatë fazës përgatitore, por sigurisht që e njihja edhe më parë. Mendoj se i kam karakteristikat e duhura për mënyrën e tij të lojës.

Do ta shohim në javët e ardhshme, sepse nuk varet vetëm nga unë apo nga ai. Unë do të përpiqem të paraqitem në grumbullim gati për të treguar sa vlej dhe më pas do të vendosim së bashku. Kam vetëm fjalë pozitive për trajnerin. E njihja edhe më parë dhe mendoj se karriera e tij fl et vetë. Do të vij në grumbullim gati për të luajtur shanset e mia dhe më pas do të vendosim të gjithë së bashku se cila është zgjidhja më e mirë për të gjithë”, shtoi mbrojtësi i Kombëtares.

MAJORKA- Sezoni i fundit në Spanjë nuk rezultoi ai që kishte imagjinuar. Majorka ra nga La Liga, ndërsa vetë Kumbulla u kushtëzua edhe nga dëmtimet, duke mos arritur të ketë vazhdimësi në fushë. “Shumë gjëra nuk shkuan siç i kisha shpresuar.

Ramë nga kategoria pavarësisht se grumbulluam 42 pikë. Normalisht, me 42 pikë siguron mbijetesën disa javë para fundit, por këtë sezon renditja e La Ligës ishte disi e pazakontë. Në aspektin personal pata disa dëmtime që nuk më lejuan të kisha vazhdimësi. Kam kaluar një sezon pozitiv duke luajtur 36 ndeshje dhe jam shumë i kënaqur me atë që kam bërë atje. Në përgjithësi, në Spanjë kanë një qasje ndryshe nga Italia në disa aspekte. Edhe mënyra se si përgatiten për ndeshjet është ndryshe.”

LIGA E EUROPËS- Një nga temat që u rikthye në intervistë ishte edhe fi nalja e Ligës së Europës e vitit 2023 ndaj Seviljas. Kumbulla u shpreh në të njëjtën linjë me Zhoze Murinjon, duke besuar se arbitrimi ndikoi në rezultatin e asaj sfide.

“Jam dakord me trajnerin kur thotë se me një arbitër tjetër ndeshja do të kishte përfunduar ndryshe. Kishte episode mjaft të qarta dhe në 90 minutat e lojës duhej të fi tonim ne. Më pas, te penalltitë mund të ndodhë gjithçka. Fatkeqësisht shkoi kështu”, shtoi ai.

MONZA- Në fund, mbrojtësi shqiptar u ndal te Ivan Jurić, trajneri që i dha mundësinë të debutonte në Serie A me Hellas Veronën dhe që, sipas tij, ka pasur ndikim të madh në karrierën e tij. Aktualisht, Juricc drejton Monzën dhe në Itali ka thashetheme se mbrojtësi mund të transferohet.

“Kam vetëm fjalë pozitive për të. Ai më bëri të debutoj në Serie A dhe, fjalë për fjalë, ma ndryshoi jetën. Mënyra e tij e stërvitjes dhe karakteri janë shumë të ngjashme me Gasperinin. Nuk e di pse gjërat nuk funksionuan kohët e fundit. Nga përvoja ime nuk gjej asgjë negative.

Ka bërë mirë si te Verona, ashtu edhe te Torino. Te Roma mbërriti në një moment të vështirë, pas De Rosit, kur ambienti nuk ishte i kënaqur. Edhe te Atalanta nuk pati kohë, ndaj nuk di cili është motivi i vërtetë. Monza është një skuadër e mirë për të rifi lluar. Futbolli i tij ka nevojë për kohë, sidomos për fazën përgatitore, që për të është gjëja më e rëndësishme. Mendoj se mund të rikthehet shumë mirë”, u shpreh mbrojtësi shqiptar.

ERJON ALLARAJ  – PANORAMASPORT.AL