Vllaznia “harron” shkodranët, vetëm katër titullarë vendas
Vllaznia e sezonit 2026-2027 duket se do të ketë një nga formacionet me më pak futbollistë shkodranë të viteve të fundit. Një skuadër që historikisht është identifi kuar me lojtarët e dalë nga akademia dhe me futbollistët vendas, këtë herë pritet të paraqitet ndryshe, me peshën kryesore që bie mbi afrimet e merkatos.

Nga ajo çfarë është parë në ndeshjet miqësore të zhvilluara gjatë përgatitoreve verore, vetëm katër futbollistë shkodranë shihen si titullarë të padiskutueshëm në skemat e trajnerit. Bëhet fjalë për portierin Jukaj, dy mbrojtësit Gurishta e Pusi, si dhe sulmuesin Bekim Balaj, të cilët kanë qenë pjesë e formacionit kryesor në testet e deritanishme.
Megjithatë, lista e futbollistëve vendas që mund të kenë rol të rëndësishëm nuk përfundon këtu. Në prag të ndeshjeve zyrtare, edhe Marku shihet si një kandidat serioz për të fi tuar një vend në formacionin titullar, duke rritur në pesë numrin e shkodranëve që mund të nisin nga minuta e parë në sfidat e sezonit të ri.
Ky është një ndryshim i ndjeshëm për një klub si Vllaznia, që ndër vite ka ndërtuar identitetin e saj mbi futbollistët e qytetit. Në shumë sezone, boshti i skuadrës ka qenë i përbërë nga lojtarë shkodranë, ndërsa tani situata ka ndryshuar ndjeshëm pas afrimit të një numri të madh futbollistësh nga jashtë qytetit. Mbetet të shihet nëse kjo prirje do të konfirmohet edhe në ndeshjen e parë zyrtare të sezonit apo trajneri do të rezervojë surpriza në zgjedhjet e tij.
Ajo që është e qartë deri më tani është se Vllaznia po hyn në një epokë disi ndryshe, ku numri i futbollistëve shkodranë në formacion nuk është më aq i lartë sa tifozët kuqeblu janë mësuar të shohin ndër vite.
PANORAMASPORT.AL













