Koha e provave mbaroi, synohet start me fitore te Vllaznia

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 5, 2026 | 18:07

Koha e provave mbaroi, synohet start me fitore te Vllaznia

Pas përfundimit të fazës përgatitore jashtë vendit, Vllaznia është rikthyer në Shkodër, aty ku do të zhvillojë ditët e fundit të përgatitjeve për ndeshjen e parë zyrtare të sezonit. Kuqeblutë tashmë kanë hyrë në javën më të rëndësishme të kësaj vere, me vëmendjen e përqendruar plotësisht te përballja e parë ndaj Malishevës në turin e parë kualifi kues të UEFA Conference League.

vllaznia

Në kampin shkodran atmosfera duket e qetë dhe larg euforisë. Stafi teknik po punon me ritëm normal, duke u fokusuar te detajet taktike dhe rikuperimi fi zik i futbollistëve. Miqësoret e zhvilluara gjatë fazës përgatitore kanë shërbyer për të krijuar idetë e para të formacionit, ndërsa në ditët në vijim pritet të kristalizohet edhe njëmbëdhjetëshja që do të zbresë në fushë ndaj skuadrës nga Kosova.

Ndërkohë, drejtuesit e klubit prej disa ditësh kanë nisur një thirrje të vazhdueshme për tifozët shkodranë, duke i ftuar ata të jenë sa më të shumtë në stadium të enjten. Mbështetja e publikut konsiderohet një element shumë i rëndësishëm për Vllazninë, e cila synon ta nisë sezonin me një rezultat pozitiv përpara ndeshjes së kthimit.

Sfida e së enjtes do të jetë edhe ndeshja e parë zyrtare e sezonit 2026-2027 për kuqeblutë, ndaj pritshmëritë janë të mëdha si brenda skuadrës, ashtu edhe te tifozët. Një fitore në “Loro Boriçi” do t’i jepte Vllaznisë një avantazh të rëndësishëm për ndeshjen e kthimit dhe do të rriste ndjeshëm shanset për kualifi kim në raundin e dytë të Conference League.

Tashmë numërimi mbrapsht ka nisur. Pas javësh përgatitjesh dhe testesh, për Vllazninë ka ardhur momenti të tregojë vlerat në fushë. Shkodra pret me padurim rikthimin e futbollit zyrtar dhe shpreson që skuadra ta nisë sezonin evropian me këmbën e mbarë.

ENDRI ÇINARI-PANORAMASPORT.AL