Fitore mbresëlënëse me 5 gola në kampionat, rivali i Egnatias në Europë është gati. Trajneri: Në Champions emocionet dhe dëshira vijnë të parat
Egnatia do të përballet me skuadrën moldave të Petrokub në turin e parë të Ligës së Kampioneve në një formë mjaft të mirë si sportive, ashtu edhe me moral të lartë. Kjo, pasi skuadra moldave ka fituar të dy ndeshjet e javëve të para të kampionatit të saj, me të dytën që e mbylli me rezultatin mbresëlënës 5-0 ndaj Milsamit.

Trajner Shota Makharadze, ishte padyshim i lumtur për suksesin e ekipit të tij, teksa e cilësoi të gatshëm për të përballuar arenën ndërkombëtare.
“Gjëja më e rëndësishme është se lojtarët ekzekutuan 99 përqind të asaj që ishte planifikuar dhe i ishte komunikuar lojtarëve para ndeshjes. Një falënderim i madh për ta. Ishin vetë ata që krijuan këtë lojë të bukur sot. Jam shumë i kënaqur me cilësinë e futbollit që treguam. Kjo është vetëm java e dytë, por cilësia e lojës që ekipi po tregon tashmë kundër një kundërshtari të tillë është e dukshme. Plus, shënuam disa gola fantastikë, njëri më i bukur se tjetri.
Në çfarë gjendje shkojmë në Europë? Po, nuk do të jetë e lehtë. Ndeshja tjetër është vetëm pas katër ditësh, dhe detyra e parë është të rindërtojmë ekipin. Por kur bëhet fjalë për Ligën e Kampioneve, emocionet dhe një dëshirë e madhe vijnë të parat. Ne kurrë nuk kemi pasur probleme me përgatitjen fizike dhe jam i sigurt se kurrë nuk do të kemi, sepse kemi trajnerin më të mirë të përgatitjes fizike”, tha trajneri i Petrokub për sfidën e kësaj mesjave ndaj rrogozhinasve.
PANORAMASPORT.AL













