Bratu me risi te Partizani, çfarë vërehet në karrierën e trajnerit rumun

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 6, 2026 | 13:09

Bratu me risi te Partizani, çfarë vërehet në karrierën e trajnerit rumun

Trajneri Florin Bratu është prezantuar sot nga presidenti Gazment Demi i Partizanit. Kontrata e firmosur është 1 vjeçare, por me opsion rinovimi edhe një tjetër. Marrëveshje e cila shfaqet edhe si risi, ndërsa të kuqtë kishin ndjekur të njëjtën rrugë me kontratat e futbollistëve më parë.

Screenshot 2026-07-06 130926

Bratu është 46 vjeç dhe ka lindur në Bukuresht. Për herë të fundit ishte trajner i Metaloglobus, post të cilin e mbajti që nga fillimi i muajit mars. Sezonin e mbylli në vendin e fundit dhe Metaloglobus ra nga elita e futbollit rumun. Në dhjetë javë që drejtoi, fitoi dy ndeshje, barazoi pesë dhe humbi tri të tjera.

Bratu ishte fillimisht shef skautësh dhe më pas trajner. Eksperiencën e parë si teknik e pati në sezonin 2014/15 si trajner i ekipit të dytë të Dinamos së Bukureshtit. Më pas ka drejtuar edhe ekipe moshash, si dhe Rumaninë U-21.

Si trajner ka një CV të pasur me ekipe që tashmë janë në kategoritë inferiore. Bëhet fjalë për CS Dinamo Bukuresht(Rumani), Metaloglubus(Rumani), Karmiotisa(Qipro), Konkordia(Rumani), AFC Turris(Rumani), Aerostar(Rumani), FC Dinamo(Rumani), Tunari(Rumani).

Për të është eksperienca e dytë jashtë vendit të tij. Më parë drejtonte Karmiotisan në Qipro. Te Partizani synon që për herë të parë të drejtojë një sezon të plotë, pasi të gjithë klubet e mëparshme nuk ia kanë dhënë këtë mundësi.

NJOFTIMI I PARTIZANIT:

“FK Partizani zyrtarizon arritjen e marrëveshjes me trajnerin Florin Daniel Bratu. 46 vjeçari nga Rumania, i cili është prezantuar sot nga presidenti Gazment Demi do të drejtojë të kuqtë në sezonin e ri 2026 – 2027. Bratu me një karrierë të pasur si lojtar dhe trajner në Rumani dhe Qipro, si dhe eksperiencë në drejtimin e Kombëtares U-21 të Rumanisë, do të shënojë në drejtimin e të kuqve edhe përvojën e parë në kampionatin shqiptar. Bratu ka nënshkruar një kontratë 1 + 1 dhe vjen në drejtimin e ‘Demave të Kuq’ për të nisur projektin e ri ambicioz dhe fitues”.

EMANUEL LOCI-PANORAMASPORT.AL