E anashkaluan te Lushnja në pjesën e dytë të sezonit, Ribaudo prezantohet në elitën maqedonase

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 6, 2026 | 14:11

E anashkaluan te Lushnja në pjesën e dytë të sezonit, Ribaudo prezantohet në elitën maqedonase

Futbolli shpesh rezervon histori të çuditshme dhe ajo e Salvatore Ribaudos është një prej tyre. Në pjesën e dytë të sezonit të kaluar, mesfushori me tipare sulmuese doli jashtë planeve të Lushnjës, ndërsa verdhejeshilët përfunduan sezonin me rënien në Kategorinë e Dytë.

ribaudo

Megjithatë, ajo që në pamje të parë dukej një hap pas në karrierën e italianit, është shndërruar në një mundësi të artë. 21-vjeçari do ta vazhdojë karrierën në elitën e futbollit të Maqedonisë së Veriut. Klubi shqiptar Arsimi ka zyrtarizuar afrimin e tij, duke e bërë Ribaudon transferimin e parë të merkatos së verës. Lajmi është bërë publik nga vetë klubi, i cili beson se futbollisti italian do të jetë një përforcim i rëndësishëm për repartin ofensiv në sezonin e ri. Ribaudo është një produkt i akademisë së Palermos, ndërsa për pesë vite ka vijuar formimin e tij te Parma, dy klube të njohura të futbollit italian.

Gjatë karrierës së tij ka grumbulluar eksperiencë jo vetëm në Itali, por edhe në Spanjë, Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut, duke krijuar një profil interesant për moshën që ka. Tek Arsimi besojnë se Ribaudo do t’i japë skuadrës më shumë fantazi, shpejtësi dhe kreativitet në fazën sulmuese, ndërsa vetë futbollisti kërkon të rilindë karrierën pas muajve të vështirë të kaluar te Lushnja. Ironia e fatit është se, ndërsa Lushnja ra një kategori më poshtë dhe vendosi të mos llogariste më te shërbimet e tij, Ribaudo ka siguruar një kontratë në elitën e futbollit maqedonas. Një lëvizje që mund të rezultojë një pikë kthese në karrierën e italianit.

PANORAMASPORT.AL