OPINION/ Gjermania nuk është më një skuadër turnesh, duhet të rikthehet tek identiteti i saj

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 6, 2026 | 15:41

OPINION/ Gjermania nuk është më një skuadër turnesh, duhet të rikthehet tek identiteti i saj

NGA FILIP LAHM

gjermania

Jam i tronditur. Gjermania është eliminuar herët nga Kupa e Botës për të tretën herë radhazi. Më duhet kohë ta përtyp këtë zhgënjim. Fjala kyçe që duhet diskutuar është vazhdimësia, diçka që kombëtares gjermane i ka munguar prej një dekade. Futbolli gjerman ende nuk ka vendosur se si dëshiron të luajë. Vazhdimisht dalin ide të reja, eksperimentohet me skema të ndryshme dhe lojtarët vendosen në role të reja. Julian Nagelsman ka eksperimentuar tepër, jo vetëm gjatë këtij Botërori.

Ndërtimi i një skuadre kërkon vite. Gjermania ka qenë gjithmonë e suksesshme kur rolet e futbollistëve kanë qenë të qarta, hierarkia e konsoliduar dhe skuadra ka pasur një identitet të përcaktuar në sulm dhe në mbrojtje. Këtë herë mungoi pikërisht ai bindje. Në këtë Botëror, ekipi nuk dha aspak përshtypjen se kishte kaluar procesin e domosdoshëm të ndërtimit që kalon çdo kombëtare e madhe. Kjo u pa në çdo ndeshje. Gjermanisë i mungoi kontrolli i lojës, aftësia për ta ndërtuar aksionin me qetësi nga mbrojtja drejt mesfushës e sulmit dhe për ta mbajtur topin në gjysmën kundërshtare. Po ashtu, kur kundërshtari kishte topin, nuk arritëm ta mbanim larg portës sonë. Kombëtare të tjera e bënë këtë, ne jo.

Dikur njiheshim si “Turniermannschaft”, skuadra që rritej nga ndeshja në ndeshje gjatë turneut. Sot kjo nuk ekziston më. Përkundrazi, kësaj radhe skuadra u përkeqësua me kalimin e ndeshjeve. Kjo ndodhi sepse u braktisën edhe zgjidhje që po funksiononin. Aktivizimi i Deniz Undav si zëvendësues rezultoi i suksesshëm, por Nagelsman ndryshoi strategji ndaj Paraguait. Ka të paktën dy vendime që unë do t’i kisha marrë ndryshe. Xhoshua Kimish luan në mesfushë te Bajern Mynih dhe duhet të luajë aty edhe me kombëtaren. Gjithashtu, Florian Virtz dhe Kai Havertz janë dy nga futbollistët tanë më të mirë, gjë që u pa edhe te goli ndaj Paraguait.

Do të doja ta shihja Virtz në qendër, pas Havertzit, aty ku jep maksimumin. Dhe këtë jo vetëm në një ndeshje, por vazhdimisht, si në stërvitje ashtu edhe në ndeshje. Nagelsman pëlqen të ndryshojë vazhdimisht skemat dhe formacionet. Është stili i tij. Por skuadrat e mëdha, si Spanja apo Franca, luajnë gjithmonë sipas të njëjtit model. I dallon menjëherë kur i sheh në fushë. Ata e zbatojnë aq mirë atë model, sa kundërshtarët nuk arrijnë t’i ndalin. Futbolli nuk duhet bërë më i ndërlikuar sesa është. Sigurisht që trajneri mund të ndryshojë detaje, por vetëm pasi skuadra të ketë rend dhe stabilitet. Ky është një problem i përgjithshëm i futbollit gjerman, edhe në Bundesliga.

Shumica e skuadrave nuk kanë qartësi në lojën e tyre. Edhe ndryshimet e Nagelsman duhen analizuar. Në ndeshjen e fundit të grupit ndaj Ekuadorit, e cila nuk kishte më peshë, ai përdori një skemë tjetër nga ajo kundër Paraguait në fazën e 1/16-ve. Si shumë vendime të tjera, as këtë nuk e kuptova. Çdo ndryshim dërgon një mesazh te skuadra dhe ai mesazh duhet të jetë i qartë. Rotacioni duhet të ketë një qëllim të kuptueshëm. Në këtë rast nuk ishte kështu. Megjithatë, ky Botëror më dha edhe një arsye për optimizëm. Pas eliminimit, lojtarët nuk u kthyen kundër njëri-tjetrit. Përkundrazi, mbështetën shokët e skuadrës. Antonio Rudiger foli me respekt për Xhonatan Tah dhe Niko Shloterbek, Kai Havertz lavdëroi Deniz Undav, ndërsa Kimish mbrojti Leroj Sane dhe vetë Nagelsmanin. Më pëlqeu shumë kjo frymë. Është një bazë mbi të cilën mund të ndërtohet.

Po ashtu nuk pajtohem me akuzat se lojtarëve u mungon karakteri apo dëshira. Kjo mund të ketë qenë e vërtetë në Botërorin e Rusisë në vitin 2018, kur brezi kampion i botës dështoi plotësisht. Por nuk e pranoj këtë kritikë për vitet 2022 dhe 2026. Nuk është çështje karakteri. E shoh se lojtarët japin gjithçka. Humbja i godet rëndë. Pas eliminimit në Katar, Kimish foli për frikën se mund të binte në depresion. Edhe këtë herë ishte i shkatërruar. Brezi i sotëm është formuar në akademitë moderne dhe e ka parë futbollin si profesion që në moshën 12 apo 13-vjeçare. Gjatë 15 viteve të fundit gjithçka është rritur me ritme marramendëse, pagat, prania në rrjetet sociale dhe individualizmi. Nuk është e lehtë të përballosh gjithë këtë. Pikërisht këtu duhet lidership. Edhe brezi pas meje meriton një mundësi të drejtë.

Megjithatë, trajnerët vazhdojnë t’u rikthehen kampionëve të vitit 2014, siç ndodhi këtë herë me Manuel Nojer. Një vendim i tillë mund të sjellë stabilitet afatshkurtër, por në të njëjtën kohë tregon mungesë besimi ndaj brezit të ri. Argjentina dhe Franca, me Lionel Mesin dhe Kilian Mbapen, kanë treguar se është e mundur të ndërtohet një skuadër duke u mbështetur te liderët, por pa penguar zhvillimin e grupit. Didier Deshams dhe Lionel Skaloni kanë krijuar rend, siguri dhe vazhdimësi. Në tre Kupa Bote radhazi kanë dështuar tre trajnerë të ndryshëm: Joakim Lwv, Hansi Flik dhe Julian Nagelsman. Prandaj nuk e shoh problemin te lojtarët. Gjermania ka futbollistë që luajnë në klubet më të mëdha të Europës. Antonio Rudiger është prej vitesh te Real Madridi. Florian Virtz udhëhoqi Bajer Leverkusen drejt titullit të parë kampion përpara se Liverpul të investonte shuma të mëdha për ta transferuar. Kai Havertz ka fi tuar Ligën e Kampionëve me Ccelsin dhe Premier League me Arsenalin. Jamal Musiala konsiderohet një talent i nivelit botëror, ndërsa Xhoshua Kimish prej vitesh mban përgjegjësi te Bajern Mynih.

Vetëm Franca ka më shumë talente individuale se Gjermania. Kupa e Botës është ngjarja më e rëndësishme sportive në planet dhe kombëtarja duhet të përfaqësojë identitetin e vendit. Në Bosnjë dhe Hercegovinë njerëzit festojnë ekipin e tyre sepse e shohin veten te ai. Por nëse vazhdimisht ndërpret procesin e ndërtimit të skuadrës, tifozët nuk arrijnë të identifi kohen me të. Pikërisht për këtë arsye zhgënjimi në Gjermani është kaq i madh. Edhe në brezin tonë nuk shkonim të gjithë në mënyrë perfekte me njëri-tjetrin. Por sa herë takohem me ish-shokët e skuadrës nga periudha 2006-2014, kujtojmë me krenari sukseset tona. Ato fi tore krijuan një lidhje që do të zgjasë gjithë jetën.

Kam frikë se pasardhësit tanë nuk do ta përjetojnë këtë ndjenjë dhe kjo është vërtet për të ardhur keq. Sot fl itet shumë për të ardhmen dhe për emrat që mund ta zëvendësojnë Nagelsman. Por, para se të diskutojmë emra, duhet të zgjidhim disa çështje themelore. Futbolli gjerman duhet të vendosë se çfarë dëshiron të jetë. A jemi Spanja? A jemi Argjentina? A jemi Franca? Jo. Ne jemi Gjermania. Kemi kulturën tonë dhe mënyrën tonë të të luajturit futboll. Duhet të rikthehemi te identiteti ynë. Dhe këtë duhet ta bëjmë me bindje të plotë.

PANORAMASPORT.AL