Revolucioni tek Egnatia, 11 afrime dhe kudo konkurrencë
Egnatia ka qenë ndër klubet më aktive në këtë merkato vere në futbollin hqiptar, duke afruar deri tani 11 futbollistë të rinj që kanë prekur thuajse çdo repart të skuadrës kampione.
Lëvizje që kanë shtuar ndjeshëm alternativat dhe kanë rritur konkurrencën në organikë në çdo pozicion, duke e bërë grupin më të gjerë dhe më të hapur se në sezonet e kaluara. Në këtë kuadër, në letër mund të ndërtohet një “formacion merkatoje”, i përbërë vetëm nga afrimet e verës. Ky nuk është një formacion natyral dhe as një zgjedhje taktike reale e trajnerit Nevil Dede, por një vendosje e sforcuar, ku disa lojtarë mund të interpretojnë role të ndryshme nga ato natyrale. Megjithatë, ai shërben për të treguar qartë se Egnatia ka afruar 11 lojtarë që mbulojnë praktikisht gjithë fushën nga porta deri në sulm.
FORMACIONI I MERKATOS – Në portë qëndron Bruno Puja, i rikthyer në Rrogozhinë, duke shtuar menjëherë konkurrencën në një repart ku janë edhe Dajsinani dhe Tandilashvili. Një situatë që e bën garën për vendin e titullarit më të hapur në krahasim me sezonet e mëparshme. Në mbrojtje vendosen Geralb Smajli në krahun e djathtë, ndërsa në qendër Alessandro Kacbufi dhe Eneo Bitri. Në krahun e majtë luan Numan Ajeti.
Një prapavijë e ndërtuar tërësisht mbi afrimet e reja, ku numri i opsioneve është rritur ndjeshëm dhe ku konkurrenca për katër vendet e mbrojtjes pritet të jetë e fortë gjatë gjithë sezonit. Në mesfushë pozicionohet Ibrahim Diabate në qendër, me Robin Balla në të djathtë dhe Andrej Jago në të majtë. Një repart që sjell më shumë alternativa në ndërtimin e lojës, me lojtarë që mund të përshtaten edhe në role të tjera në varësi të skemës, por që në këtë vendosje tregon qartë zgjerimin e organikës në mesfushë.
Në sulm vendosen Jurguens Montenegro në qendër, Karim Loukili në të djathtë dhe Edison Ndreca në të majtë, duke plotësuar këtë 11-she të formuar vetëm nga afrimet e verës dhe duke rritur numrin e zgjidhjeve në fazën ofensive.
KARAKTERI I FORMACIONIT – Ky është një formacion i sforcuar, ku disa lojtarë vendosen jashtë roleve të tyre natyrale ose në pozicione të përafërta, vetëm për të krijuar një panoramë të plotë të shpërndarjes së afrimeve në çdo repart. Nuk përfaqëson skemën reale të Egnatias në ndeshjet zyrtare, por një ilustrim të thjeshtë të mënyrës se si merkatoja ka ndikuar në strukturën e skuadrës. Qëllimi kryesor është të tregohet fakti se 11 lojtarë të rinj janë afruar dhe janë shpërndarë në mënyrë të tillë që prekin çdo linjë të ekipit, duke e bërë organikën më të gjerë dhe më konkurruese.
Me këtë numër afrimesh, në disa reparte është rritur ndjeshëm numri i alternativave, sidomos në mbrojtje dhe mesfushë. Kjo ka bërë që përzgjedhja e formacionit të mos jetë më e ngurtë, por të varet më shumë nga forma e momentit dhe nga kundërshtari. Në të njëjtën kohë, kjo situatë sjell edhe një menaxhim më kompleks të grupit, pasi disa pozicione kanë më shumë se dy lojtarë që konkurrojnë për të njëjtin rol. Kjo pritet të ndikojë drejtpërdrejt në rotacionin gjatë sezonit, sidomos kur kalendari bëhet më i ngjeshur me kampionat dhe Europë.
VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL













