Spaleti pret lëvizje nga Juventusi, shtohen shqetësimet rreth formatimit të “Zonjës”
Ka mbetur rreth një javë nga grumbullimi i Juventusit në Kontinasa, por skuadra bardhezi ende nuk ka marrë formën që dëshiron trajneri Luciano Spaleti. Pas një sezoni zhgënjyes, pritshmëritë janë të larta, ndërsa merkatoja nuk ka sjellë ende përforcimet kryesore.
Spaleti pritet të rikthehet në Torino gjatë ditëve në vijim dhe pret që deri më 13 korrik të ketë të paktën dy lajme pozitive, rikthimin e Randal Kolo Muani dhe mbylljen e marrëveshjes për Tarik Muharemoviç. Sulmuesi francez mbetet objektivi kryesor për repartin ofensiv dhe negociatat me PSG-në vazhdojnë, me shpresën që ai të jetë në dispozicion që në nisje të përgatitjeve. Megjithatë, shqetësimi më i madh për teknikun italian lidhet me portën.
Spaleti kishte shpresuar të ribashkohej me Alison, por Liverpuli nuk ka ndërmend të lejojë largimin e brazilianit. Alternativa tjetër, Emiliano Martinez, duket po aq e vështirë, pasi Aston Vila kërkon një shumë që Juventusi nuk është i gatshëm ta paguajë për portierin argjentinas. Edhe emra të tjerë, si Gulielmo Vikario, nuk bindin plotësisht drejtuesit bardhezi. Në mbrojtje, Juventusi është pranë rikthimit të Tarik Muharemoviç nga Sasuolo.
Boshnjaku do të shtonte alternativat në qendër të mbrojtjes, edhe pse nuk do të ishte menjëherë në dispozicion. Për momentin, i vetmi emër i ri që pritet t’i bashkohet skuadrës në grumbullimin e 13 korrikut është Xhef Ekhator, një investim për të ardhmen, por jo lojtari që mund të ndryshojë menjëherë nivelin e ekipit. Koha po kalon dhe Spaleti pret që drejtuesit të përshpejtojnë merkaton. Trajneri është i vetëdijshëm se rindërtimi i Juventusit kërkon kohë, por dëshiron që themelet e projektit të ri të vendosen që në ditët e para të përgatitjeve.
PANORAMASPORT.AL













