Vazhdon telenovela ”Balogun”! FIFA deklaron zyrtarisht se Belgjika nuk ka të drejtë të apelojë vendimin
Federata Belge e Futbollit ka apeluar sot vendimin për pezullimin e kartonit të kuq të Folarin Balogun të SHBA, i cili do të lejohej të luante ndaj “djajve të kuq” edhe pse ishte ndëshkuar në ndeshjen e mëparshme ndaj Bosnjë Hercegovinës.

Pas një vendimi pa precedent që është vlerësuar gjerësisht si politik falë ndërhyrjes së Donald Tramp te Xhani Infantino, Belgjika i ishte drejtuar FIFA-s duke kërkuar që ai të bëhej i pavlefshëm dhe duke paralajmëruar edhe rrugë të tjera ligjore.
Por Komisioni i Apelit i FIFA-s, nuk ka bërë asnjë ndryshim duke e cilësuar apelimin si “të papranueshëm”. Sipas argumentimit të ri, Belgjika nuk ishte pjesë e çështjes disiplinore në fjalë, ndaj nuk kishte asnjë të drejtë që të apelonte vendimin.
Tani mbetet të shihet se si do të veprojë pala belge, e cila mund t’i drejtohet edhe Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv për hapin e radhës të një telenovele të mirëfilltë gjatë Botërorit 2026.
PANORAMASPORT.AL













