VIDEO/ Dede trajner duke parë ndeshjen mes “Fanatics” dhe De Biazi në tribunë, ja kur ishte hera e fundit që Tirana pësonte 6 gola në një ndeshje kampionati
Tirana është mundur sot në derbin ndaj Dinamos me rezultatin e thellë 6-2, me mbrojtjen bardheblu që fuste ujë nga të gjithë anët dhe rrezikoi të pësonte një goleadë edhe më të rëndë.

Shifra të tilla janë pësuar rrallëherë në historinë e klubit bardheblu në kampionatin shqiptar dhe për të gjetur 6 gola të pësuar në portën e Tiranës në një ndeshje, duhet kthyer mbrapa në kohë në marsin e vitit 2013.
Asokohe, ekipi i drejtuar nga Nevil Dede, përballej me Flamurtarin e drejtuar nga Ernest Gjoka, në vitet e arta të vlonjatëve që luftonin për trofe. Vetë trajneri i bardhebluve ishte mes tifozëve duke ndjekur këtë ndeshje si ultras, ndërsa në tribunë, për të kërkuar talente për Kombëtaren, ishte edhe trajneri Xhani De Biazi.
Ndeshja u mbyll me shifrat 6-3 për Flamurtarin, me dy gola nga Muzaka, 2 nga Pepa, si dhe një nga Lena e Memelli. Kurse për bardheblutë shënuan Morina, Taku dhe Lika të cilët kishin çuar shifrat në 3-1 për bardheblutë, para se ekipi vlonjat të bënte përmbysjen e madhe duke tundur rrjetën 5 herë radhazi.
PANORAMASPORT.AL













