“Vals” për stolin e Partizanit, nga Tetova te kroati sa shumë kandidatë. Lëvizjet në fundin e sezonit shtojnë alternativat

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 1, 2026 | 23:56

“Vals” për stolin e Partizanit, nga Tetova te kroati sa shumë kandidatë. Lëvizjet në fundin e sezonit shtojnë alternativat

Partizani ndau rrugët me trajnerin Oltijon Kërnaja pas rezultateve negative të skuadrës në ndeshjet e fazës së katërt, si dhe pas disfatës në derbin e kryeqytetit ndaj Tiranës.tetovaTë kuqtë, në reagimin për shtyp, bënë të ditur se punën me drejtimin e ekipit do ta vazhdojë stafi aktual, me në krye Realf Zhivanaj, ndërsa pranë skuadrës do të jetë edhe drejtori Agim Ibraimi. Megjithatë, kjo është vetëm një zgjidhje momentale, pasi te Partizani do të synojnë të gjejnë një trajner fiks, i cili për më tepër të ketë mundësinë edhe ta nisë punën nga fillimi për sezonin e ri, duke ndërtuar një projekt të qartë dhe afatgjatë. Emrat që qarkullojnë për të zëvendësuar Kërnajën, edhe pse është ende herët, janë të shumtë dhe përfshijnë trajnerë me eksperiencë dhe figura që e njohin ambientin e klubit.

I pari në listë është Edlir Tetova, i cili në fundin e këtij sezoni do të mbyllë edhe aventurën me Egnatian. Tekniku kampion i dy viteve të fundit ka treguar stabilitet dhe rezultate, duke e kthyer ekipin e tij në një nga më konkurruesit në Superiore. Ai ka gjithashtu një lidhje me Partizanin, pasi është aktivizuar si futbollist te të kuqtë gjatë sezonit 2010, duke regjistruar 12 paraqitje, çka e bën një profil që e njeh ambientin.

I radhës në listë është një tjetër emër që Partizanin e njeh në themel. Fjala është për Shpëtim Duron, një trajner me përvojë të gjatë në futbollin shqiptar dhe me disa aventura në pankinën e të kuqve. Ai i ka drejtuar më herët gjatë sezonit 2001- 2002, 2008-2009, si dhe për herë të fundit në vitin 2013, duke qenë një alternativë që garanton njohje të kampionatit dhe menaxhim të situatave të vështira.

Një tjetër pretendent, edhe pse aktualisht është i angazhuar, është Ilir Daja. Trajneri me shumë eksperiencë ndodhet aktualisht në drejtimin e Dinamos, por e ardhmja e tij mbetet e paqartë. Daja është një emër i njohur për Partizanin, pasi i ka drejtuar të kuqtë në sezonin 2020-2021 dhe ka treguar se di të menaxhojë skuadra me objektiva madhorë. Përvoja dhe qasja e tij taktike e bëjnë një nga kandidatët më seriozë.

Sakaq, në listën paraprake të Partizanit është edhe emri i Zoran Zekiç, një tjetër ish-trajner i të kuqve, i cili i drejtoi në vitin 2023. Kroati ishte së fundmi pjesë e Sarajevos në Bosnje dhe mbetet një profil interesant për drejtuesit, duke qenë se e njeh ambientin dhe kërkesat e klubit. Ndërkohë, nuk përjashtohet mundësia që lista e kandidatëve të zgjerohet edhe me emra të tjerë, qoftë nga kampionati vendas apo nga jashtë, pasi situata në tregun e trajnerëve pritet të ndryshojë në javët e fundit të sezonit.

Lëvizjet në pankinat e ekipeve të tjera të Superiores mund të krijojnë një efekt zinxhir, duke shtuar alternativat në dispozicion të Partizanit. Drejtuesit e klubit pritet të tregohen të kujdesshëm në këtë vendim, duke analizuar jo vetëm emrin, por edhe projektin që secili trajner mund të ofrojë për të ardhmen. Qëllimi kryesor mbetet ndërtimi i një skuadre të qëndrueshme dhe konkurruese, e cila të mos ketë luhatje të mëdha gjatë sezonit.

Ky sezon ka treguar se ndryshimet e shpeshta në pankinë nuk janë gjithmonë zgjidhja ideale, pasi Partizani e nisi me Skënder Gegën, vijoi me Mladen Milenkoviç dhe e mbylli me Oltijon Kërnajën. Kjo lëvizje e vazhdueshme ka ndikuar në stabilitetin e ekipit dhe në vazhdimësinë e rezultateve. Për këtë arsye, zgjedhja e trajnerit të ri shihet si një hap vendimtar për të ardhmen e klubit, pasi nga ky vendim do të varet jo vetëm ecuria e sezonit të ardhshëm, por edhe perspektiva afatgjatë e Partizanit në futbollin shqiptar.

EJGI ÇABELI-PANORAMASPORT.AL