Uimbëlldoni ndalon qentë, Badosa: Jam e lumtur që nuk lejohen
Në “Roland Garros”, drejtoresha e turneut, Amelie Mauresmo, e priti Arina Sabalenkën duke i bërë të ditur se qeni i saj, Ash, kishte akses në të gjitha ambientet e kompleksit. Numri një i botës nuk ishte e vetmja që mbërriti në Paris me kafshën e saj shtëpiake. Asaj iu bashkuan edhe Anastasia Potapova (Jackie), Anna Kalinskaya (Bella), Mirra Andreva (Rassy) dhe Marta Kostyuk (Mander dhe Cheech).

Në radhët e meshkujve, Zizu Bergs është pothuajse gjithmonë i shoqëruar nga qeni i tij Copain, ndërsa Aleksandër Zverev prezantoi publikisht qenin e tij Mishka, gjatë festimeve për triumfin në “Roland Garros”. Megjithatë, mikpritja e treguar nga Federata Franceze e Tenisit nuk gjen vend në Uimbëlldon. Grand Slami i tretë i sezonit zbaton rregullat e veta, pa përjashtime, pavarësisht statusit të lojtarëve. Asnjë prej shtatë qenve të akredituar në “Roland Garros” nuk do të ketë leje hyrjeje në prestigjiozin “All England Club”.
Shumë teniste janë të zhgënjyera që nuk mund të kenë pranë kafshët e tyre shtëpiake gjatë turneut. Megjithatë, ky nuk është rasti i Paula Badosës, e cila pranon se nuk ndihet rehat pranë qenve. “Unë gjithmonë them se më pëlqejnë qentë, por preferoj të jenë larg meje, sepse kam frikë prej tyre. Kur isha e vogël pata një përvojë të keqe. Kur afrohen pranë meje, më duket sikur më kap një lloj paniku. E di që kam shoqe që udhëtojnë me qentë e tyre dhe më vjen keq për to, por njëkohësisht jam e lumtur që në Uimbëlldon nuk lejohet prania e tyre”, u shpreh Badosa.
PANORAMASPORT.AL













