Bratu vendos për të paprekshmit te Partizani, priten oferta për dy zbulimet e sezonit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 29, 2026 | 11:40

Bratu vendos për të paprekshmit te Partizani, priten oferta për dy zbulimet e sezonit

Partizani vijon të punojë për ndërtimin e skuadrës së sezonit të ri, por paralelisht me afrimet dhe largimet, drejtuesit mbajnë në vëmendje edhe një tjetër aspekt të rëndësishëm: shitjet. Mungesa në kupat e Europës do të ndikojë edhe në të ardhurat e klubit, ndaj nuk përjashtohet mundësia që gjatë kësaj merkatoje të realizohet një transferim i rëndësishëm. Nëse do të vijë një ofertë e kënaqshme, Partizani është i gatshëm të shqyrtojë çdo mundësi që i shërben interesit ekonomik të klubit.

human

Në këtë moment, dy emrat që duken më të mundshëm për një lëvizje janë Arafat Dumbia dhe Rouan Human. Mesfushorët janë ndër futbollistët që kanë spikatur më shumë me fanellën e të kuqve dhe prej kohësh kanë tërhequr vëmendjen e klubeve jashtë Shqipërisë. Cilësitë e tyre, mosha dhe potenciali i zhvillimit i bëjnë dy prej aseteve më të vlefshme në organikën e Partizanit. Dumbia ka treguar vazhdimësi në paraqitjet e tij, duke qenë një nga lojtarët më të rëndësishëm në repartin e mesfushës.

Forca fizike, dinamizmi dhe aftësia për të mbuluar shumë hapësira e kanë kthyer në një element kyç për skuadrën. Nga ana tjetër, Human ka konfirmuar se zotëron cilësi të rëndësishme në organizimin e lojës. Vizionin, qetësinë me topin dhe aftësinë për të lidhur repartet e bëjnë një futbollist të kërkuar në merkato. Pikërisht për këtë arsye, të dy konsiderohen si lojtarët që mund t’i sjellin Partizanit përfitimin më të madh financiar gjatë verës. Në futbollin modern, klubet janë të detyruara të gjejnë balancën mes rezultateve sportive dhe stabilitetit ekonomik. Edhe Partizani nuk bën përjashtim, sidomos në një sezon kur mungesa në kompeticionet europiane redukton ndjeshëm të ardhurat.

Një transferim me vlerë do t’u jepte drejtuesve më shumë hapësirë për të investuar në merkato dhe për të përforcuar repartet që kanë nevojë për ndërhyrje. Sigurisht, objektivi i klubit nuk është të dobësojë skuadrën. Çdo largim do të merret në konsideratë vetëm nëse oferta është në nivelin e pritshmërive dhe nëse ekziston mundësia për ta zëvendësuar futbollistin me një alternativë cilësore. Edhe trajneri i ri, Florin Bratu, pritet të ketë një rol të rëndësishëm në këto vendimmarrje. Rumuni do të japë mendimin e tij për lojtarët që konsiderohen të paprekshëm dhe për ata që mund të sakrifikohen në funksion të projektit.

Nëse Dumbia ose Human do të largohen, Partizani do të humbasë dy futbollistë me peshë në mesfushë, por njëkohësisht mund të sigurojë të ardhura të rëndësishme për të financuar afrimet e reja. Për momentin nuk ka asgjë konkrete, por është e qartë se të dy janë ndër emrat më të vlerësuar në organikën e të kuqve dhe më të mundshmit për të zgjuar interes në treg. Vera sapo ka nisur dhe merkatoja mbetet e hapur për shumë skenarë. Megjithatë, nëse Partizani do të realizojë një shitje të madhe gjatë kësaj periudhe, Arafat Dumbia dhe Rouan Human janë dy kandidatët kryesorë për t’i sjellë klubit të ardhura të konsiderueshme, pa përjashtuar që një transferim i tillë të ndikojë edhe në strategjinë e merkatos për pjesën tjetër të verës.

EJGI ÇABELI-PANORAMASPORT.AL