Gjermania merr lajmin e madh, ylli i ekipit gati për Paraguain
Kombëtarja gjermane do të mund të varet te Nathaniel Braun për ndeshjen e fazës së 1/32 të Kupës së Botës ndaj Paraguait të hënën. Mbrojtësi i majtë, i cili së fundmi ishte jashtë fushave për shkak të problemeve me aduktorin, e përfundoi pa asnjë shqetësim të dukshëm seancën e fundit stërvitore të së dielës në Uinston Salem.

Nathaniel Braun iu bashkua sërish shokëve të skuadrës të shtunën dhe bëri të ditur se do të ishte gati në kohë. Futbollisti i Frankfurtit pritet kështu të zërë vendin e David Raum në formacionin titullar, pasi ky i fundit zhvilloi një paraqitje shumë të dobët në humbjen 2-1 ndaj Ekuadorit në ndeshjen e fundit të fazës së grupeve.
Përballja me Paraguain konsiderohet vendimtare për Gjermaninë, pasi çdo gabim në fazën me eliminim direkt mund t’i jap fund rrugëtimit të saj në Kupën e Botës. Rikthimi i Braun i jep Nagelsman më shumë siguri në krahun e majtë dhe më shumë alternativa në aspektin taktik. Trajneri pritet të kërkoj një reagim nga skuadra pas humbjes ndaj Ekuadorit.
Nëse do të ketë ndryshime të tjera në formacion si pasojë e paraqitjes zhgënjyese të ekipit në Nju Jork, mbetet ende e paqartë. Në seancën e fundit stërvitore para nisjes, Nagelsman kishte në dispozicion të gjithë skuadrën prej 25 lojtarësh, pas dëmtimit të Niko Shloterbek. Gjatë 15 minutave të para, të hapura për mediat, trajneri i kombëtares i kushtoi vëmendje të veçantë portierëve.
I pozicionuar menjëherë pas portës, ai ndoqi nga afër pritjet e Aleksander Nubel, Oliver Bauman dhe veçanërisht Manuel Nojer. 40 vjeçari Nojer ishte një nga më të kritikuarit pas ndeshjes me Ekuadorin, jo vetëm për reagimin e tij pasiv dhe të pafat në golin e pësuar për rezultatin 2-1. Vetë portieri mohoi se kishte bërë ndonjë gabim në atë rast. Në stërvitjen e fundit, portieri i Bajernit të Mynihut ishte i pari që doli nga tenda e fitnesit pranë fushës, thuajse sikur donte të jepte një mesazh. Megjithatë, mesazhi më i rëndësishëm do të duhet të vijë të hënën në Boston.
PANORAMASPORT.AL













