ZYRTARE/ “Tërmet” në federatë, vjen dorëheqja e bujshme pas shtatë vitesh: Mbaj përgjegjësinë e plotë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 29, 2026 | 10:24

ZYRTARE/ “Tërmet” në federatë, vjen dorëheqja e bujshme pas shtatë vitesh: Mbaj përgjegjësinë e plotë

Tërmet në Federatën e Arabisë Saudite të Futbollit. Vendi i fundit në grup nuk është kapërdirë, duke bërë që presidenti Jaser Al Misehal të paraqesë dorëheqjen.

Screenshot 2026-06-29 102102

Arabia Saudite e mbylli në vendin e fundit në fazën e grupeve të Botërorit. Spanja, Kepi i Gjelbër dhe Uruguaj e mbyllën mbi të. Al Misehal publikoi një deklaratë të gjatë në rrjetet sociale ku tregonte për vendimin e tij, ku edhe mori të gjitha përgjegjësitë.

“Pas shtatë vitesh, gjatë të cilave pata nderin t’i shërbej vendit tonë të dashur si kryetar i bordit të Federatës së Arabisë Saudite të Futbollit, i shpreh falënderimet dhe mirënjohjen time të sinqertë Madhërisë së Tij, Kujdestarit të Dy Xhamive të Shenjta, dhe Lartësisë së Tij, Princit të Kurorës, i ruajtë Zoti, për mbështetjen bujare dhe të pakufishme që sporti i futbollit ka marrë, e cila ka qenë dhe mbetet themeli i të gjitha arritjeve të realizuara.

Gjithashtu i shpreh falënderime të mëdha Lartësisë së Tij, Ministrit të Sportit, për mbështetjen e tij të vazhdueshme, kujdesin e tij të përhershëm dhe për sakrificat e shumta në shërbim të sportit të vendit.

Unë dhe kolegët e mi në bordin drejtues kemi bërë gjithçka që kemi mundur për t’i shërbyer futbollit saudit dhe jemi përpjekur me sinqeritet të plotë të realizojmë aspiratat e vendit tonë dhe të tifozëve tanë. Megjithatë, moskualifikimi i kombëtares sonë në fazën tjetër të Kupës së Botës është një rezultat që nuk i përmbush ambiciet tona të përbashkëta, dhe unë mbaj përgjegjësinë e plotë për këtë, duke kërkuar falje për këdo që kishte shpresuar ta shihte ekipin tonë në një pozitë më të mirë.

Duke u nisur nga bindja ime se përgjegjësia kërkon hapjen e një faze të re, kam vendosur të mos vazhdoj deri në fund të mandatit aktual, dhe në përputhje me procedurat dhe rregulloret do të nisim procesin e hapjes së kandidaturave për zgjedhjen e një bordi të ri drejtues.

Unë largohem nga kjo detyrë, por do të mbetem, me lejen e Zotit, një ushtar besnik në shërbim të vendit tim dhe udhëheqjes së tij të urtë, dhe do të vazhdoj të mbështes çdo gjë që kontribuon në ngritjen dhe suksesin e sportit saudit.

Faleminderit të gjithëve që na mbështetën, dhe faleminderit tifozëve tanë që kishin pritshmëri të larta. Ju kërkojmë ndjesë nëse kemi gabuar. I lutem Zotit që të jenë të suksesshëm ata që do të vijnë pas nesh, dhe që e ardhmja e futbollit saudit të jetë më e ndritur, ashtu siç i përshtatet vendit tonë dhe ambicieve të tij.

PANORAMASPORT.AL