Ish-kapiteni i Gjermanisë kërkon një largim, Lahm shpjegon: Nuk ka bindur

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 29, 2026 | 14:21

Ish-kapiteni i Gjermanisë kërkon një largim, Lahm shpjegon: Nuk ka bindur

Përpara ndeshjes së parë me eliminim direkt të Gjermanisë në Kupën e Botës 2026, po shtohen gjithnjë e më shumë zërat që kërkojnë ndryshime në mesfushë. Kritikat janë drejtuar kryesisht ndaj mesfushorit të Bajernit të Mynihut, Aleksandar Pavloviç, i cili nuk arriti të bind me paraqitjet e tij në qendër të fushës si ndaj Bregut të Fildishtë, ashtu edhe kundër Ekuadorit. A do të detyrohet Julian Nagelsman të riorganizoj mesfushën për ndeshjen e fazës së 1/32 të Kupës së Botës ndaj Paraguait të hënën?

lahm

Legjenda e futbollit gjerman, Filip Lahm, ka një mendim të qartë: po. Sipas tij, futbollisti i Bajernit të Mynihut, në formën aktuale, nuk e meriton më një vend në formacionin titullar. “Pavloviç ende nuk ka bindur në këtë turne. Po humbet shumë topa të lehtë dhe nuk është i pozicionuar siç duhet në fushë,” citoi Lahm. Zgjidhja e propozuar nga ish kapiteni i Gjermanisë është e qartë: “Për këtë arsye unë e shoh Xhoshua Kimish në mesfushë.

Ai ka luajtur në atë rol në nivel të lartë për rreth dhjetë vjet, si me kombëtaren, ashtu edhe me Bajernin. Ai do t’i jepte skuadrës më shumë stabilitet dhe cilësitë e tij do të vinin më shumë në pah. Mund të ndihmoj mbrojtjen, por edhe sulmin me pasimet e tij të thella.” Kimish ka luajtur shpesh në mesfushë gjatë karrierës së tij dhe konsiderohet një nga lojtarët më me përvojë të kombëtares gjermane. Një ndryshim i tillë do t’i jepte Nagelsmanit më shumë ekuilibër në repartin e mesfushës për sfidën vendimtare ndaj Paraguait.

Sipas Lahm, dyshja ideale në mesfushë ndaj Paraguait duhet të jetë Xhoshua Kimish dhe Feliks Nmeça. Ndërsa për Pavloviç ai është i prerë: “Ai duhet të lihet jashtë formacionit titullar”, duke kërkuar që 22 vjeçari të nis ndeshjen nga stoli. Edhe komentatori i njohur Marsel Rajf mendon se Pavloviç nuk ka arritur të shfrytëzoj mundësitë e tij në ndeshjet e para të Kupës së Botës dhe se tashmë është kthyer në një rrezik për kombëtaren gjermane. “Ai ishte një makinë pasimesh, lojtari më i besueshëm… por tani është plotësisht jashtë forme,” tha Rajf. “Po ua dhuron topin kundërshtarëve, duket i lodhur dhe i mbingarkuar,” shtoi ai, përpara se të përfundonte me një kritikë të fortë: “Për momentin nuk po e ndihmon aspak ekipin, në asnjë aspekt.”

KLAJDI BAJO-PANORAMASPORT.AL