Tirana-Ibraimi, tjetër udhëkryq te bardheblutë. Klubi dhe drejtori, në drejtime të kundërta
Te Tirana po presin fundin e muajit maj për të zgjidhur çështjet e brendshme, por në “horizont ka mjegull”. Mes bardhebluve dhe Agim Ibraimit mund të ketë ardhur fundi i bashkëpunimit.
Burime në skuadër bëjnë me dije se palët do të diskutojnë në ditët në vazhdim për të ardhmen dhe nëse Tirana do të vazhdojë bashkëpunimin me drejtorin dhe anasjellas. Edhe pse nuk ka asnjë përplasje mes palëve, duket se filozofia e klubit me atë të drejtorit është e ndryshme dhe në drejtime të kundërta. Kjo do të thotë se dy janë rrugët: palët të jenë në vija paralele ose do të ketë ndërprerje bashkëpunimi.
Për t’u zbuluar është kjo situatë te Tirana. Ibraimi ishte një nga drejtuesit që këtë sezon, së bashku me Bledi Shkëmbin bënë ekipin nga e para. Shqiptari nga Maqedonia e Veriut mori të gjithë lojtarët këtë sezon, ndërsa disa prej tyre janë gati për t’u shitur siç është rasti i Zharmunit, Dembelesë, Kolës dhe ndonjë futbollisti tjetër. Tirana e sezonit 2025-2026 do të marrë jetë nga 1 qershori e në vazhdim dhe palët . Nëse skuadra aktuale po stërvitet në kryeqytet, drejtuesi kryesor i bardhebluve nuk ka vendosur se çfarë do të bëjë me trajnerin, lojtarët dhe ata që do të shiten në merkato. I kontaktuar nga “Panorama Sport”, ditë më parë, presidenti Halili deklaroi se për sezonin e ri do të mendojë pas majit. Ai pranoi se skuadra do të vazhdojë punën sipas planit stërvitor dhe në fund të do të analizohet sezoni dhe situata.
Pas analizës, do të merret një vendim se çfarë do të ndodhë në të ardhmen. Tirana këtë verë do të jetë pushim. Deri më 23 gusht 2025, bardheblutë do të jenë në përgatitjet për sezonin e ri, teksa në verë nuk do të marrin pjesë në Europë. Për Tiranën kjo është mungesë e rëndësishme, pasi jo vetëm që nuk fiton para nga kompeticionet europiane, por, nga ana tjetër, nuk rrit as koeficientin në UEFA. Në fakt, Tirana do të jetë pushim pas dy sezonesh, ndonëse në dy të fundit ka bërë mirë në Europë. Për të gjetur një sezon pa Europë, duhet të kthehemi në 2021- 2022. Tirana e atij kampionati e humbi vendin europian në ndeshjen e fundit ndaj Laçit.
OLSI AVDIAJ-PANORAMASPORT.AL













