Tifozeri e zjarrtë dhe e kushtueshme për Elbasanin, klubi e pëson 31.5 milionë lekë
Elbasani ka qenë pa diskutim një nga fenomenet më të bukura të sezonit 2025-2026 në futbollin shqiptar. Rikthimi i verdhebluve në elitë është shoqëruar me një entuziazëm të jashtëzakonshëm nga tifozët, të cilët kanë mbushur vazhdimisht stadiumin ”Elbasan Arena” dhe kanë krijuar një atmosferë që rrallë shihet në stadiumet shqiptare.
Në çdo ndeshje, si brenda ashtu edhe jashtë fushe, Elbasani është mbështetur nga mijëra tifozë. Kjo prani masive ka qenë një tregues i qartë i lidhjes së fortë mes qytetit dhe skuadrës, duke e kthyer ekipin në një nga klubet me ndjekjen më të madhe në vend. Për shumë kundërshtarë, ndeshjet në Elbasan kanë qenë ndër më të vështirat jo vetëm për shkak të forcës së skuadrës, por edhe për shkak të atmosferës së krijuar nga tribunat.
PASION ME KOSTO – Megjithatë, pasioni i madh i tifozëve ka sjellë edhe pasoja të rënda financiare. Gjatë gjithë sezonit, Komisioni i Disiplinës pranë Federatës Shqiptare të Futbollit ka ndëshkuar vazhdimisht klubin për incidente të ndryshme të shkaktuara në tribuna. Hedhja e sendeve në fushë, përdorimi i mjeteve piroteknike, kori fyes dhe sjellje të tjera të konsideruara në kundërshtim me rregulloret disiplinore kanë sjellë një seri gjobash që, të marra së bashku, kanë krijuar një faturë shumë të rëndë për klubin.
FATURA – Në total, Elbasani do të paguajë 3 milionë e 150 mijë lekë të reja vetëm në gjoba gjatë këtij sezoni. Kjo shifër e vendos klubin mes skuadrave më të penalizuara financiarisht dhe tregon qartë se sa e kushtueshme ka qenë sjellja e tifozëve. Bëhet fjalë për një shumë të konsiderueshme, e cila mund të kishte shërbyer për investime të rëndësishme në merkato, në përforcimin e skuadrës, në akademinë e moshave apo në përmirësimin e kushteve infrastrukturore të klubit. Ndëshkimi më i madh i sezonit erdhi në ndeshjen e fundit ndaj Tiranë 500 mijë lekë të reja, si edhe pa praninë e spektatorëve në dy ndeshjes e para të sezonit të ardhshëm në shtëpi.
Po ashtu, përballjet ndaj Vllaznisë, Partizanit dhe Dinamos kanë sjellë penalitete të ndjeshme, ndërsa takimet kundër Egnatias, Teutsë, Bylisit dhe Flamurtarit kanë shtuar më tej faturën. Fakti që gjobat janë shpërndarë përgjatë gjithë sezonit tregon se nuk kemi të bëjmë me raste të izoluara, por me një problem të përsëritur që ka shoqëruar ekipin nga java e parë deri në fund të kampionatit. Shuma prej 3 milionë e 150 mijë lekësh përfshin vetëm gjobat e vendosura nga Komisioni i Disiplinës. Në disa raste, klubi është detyruar të paguajë edhe dëmshpërblime shtesë, çka e ka rritur akoma më shumë barrën financiare. Kjo do të thotë se kostoja reale e incidenteve të shkaktuara nga tifozët ka qenë edhe më e lartë sesa shifra zyrtare e publikuar.
MËSIM PËR TË ARDHMEN – Pavarësisht kostove të mëdha, mbështetja e tifozëve mbetet një nga pikat më të forta të Elbasanit. Pak skuadra në Shqipëri mund të krenohen me një prani kaq të madhe dhe me një atmosferë kaq elektrizuese në stadium. Sfida për sezonin e ardhshëm është që ky pasion të shprehet në mënyrë të organizuar dhe të përgjegjshme. Nëse energjia e tribunave kanalizohet pozitivisht, Elbasani mund të vazhdojë të jetë ndër skuadrat me mbështetjen më të madhe në vend, pa u përballur me penalitete që rëndojnë mbi financat e klubit.
REKORD TIFOZËSH, REKORD GJOBASH – Sezoni 2025-2026 ka nxjerrë në pah dy realitete të kundërta për Elbasanin. Nga njëra anë, skuadra ka rikthyer në stadium mijëra tifozë dhe ka krijuar një nga atmosferat më të forta në futbollin shqiptar. Nga ana tjetër, klubi është detyruar të përballojë një faturë shumë të lartë prej 3.15 milionë lekësh të reja vetëm në gjoba. Është një shifër që tregon se pasioni i tifozëve është një forcë e madhe, por që duhet shoqëruar me përgjegjësi. Vetëm në këtë mënyrë, Elbasani mund të ruajë statusin e tij si një nga klubet me mbështetjen më të madhe në Shqipëri, pa paguar një çmim kaq të lartë financiar.

VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL













