Tetova i ka idetë e qarta: Nuk ka dy pa tre, më çuditi mungesa e Lushkjes te “Formacioni i Vitit”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 17, 2025 | 10:28

Tetova i ka idetë e qarta: Nuk ka dy pa tre, më çuditi mungesa e Lushkjes te “Formacioni i Vitit”

Edlir Tetova vazhdon të shkruajë historinë me Egnatian. Për të dytin vit radhazi, trajneri rrogozhinas është shpallur fitues i çmimit prestigjioz “Trajneri i Vitit” në futbollin shqiptar, një vlerësim që vjen si rezultat i punës, vazhdimësisë dhe suksesit të arritur me klubin.

silvinjo tetova

Pas ceremonisë së ndarjes së çmimeve, Tetova foli për emocionet e këtij vlerësimi, dominimin e Egnatias në dy vitet e fundit, mungesën e një lojtari të skuadrës në “Topin e Artë”, si dhe objektivat e tij për të ardhmen.

Tetova, viti i dytë radhazi që merr trofeun “Trajneri i Vitit”. Si ndiheni?
Po e lidh me një proverbë italiane që thotë se “nuk ka dy pa tre”. Shpresoj që të bëjmë mirë. Sigurisht që është falë punës, ndihmës së atyre djemve të mi, të cilët kanë bërë maksimumin që unë të jem sot këtu dhe ta meritoj trofeun. Pa dyshim, edhe falë suportit të të gjithë klubit të Egnatias, nga presidenti, te Klejdi drejtori e deri te punëtori më i thjeshtë, ai i fushës. Mendoj se kemi qenë të gjithë në një drejtim, si në fushë ashtu edhe drejt kësaj mbrëmjeje, ku meritova titullin e dytë.

Dy vite dominon Egnatia në futbollin shqiptar, por nuk ka një fitues të “Topit të Artë”. Çfarë mendimi keni?
Përderisa nuk ka fitues nga Egnatia, do të thotë që dikush tjetër ka bërë më mirë. Këto dy vite e ka fituar Balaj dhe mendoj se e ka merituar. Sigurisht, edhe lojtarë të tjerë kanë qenë afër, ashtu siç ka pasur edhe te Egnatia, por këto janë gjëra që vendosen me votim dhe kështu duhet pranuar ajo që shihet.

U befasuat nga mungesa e Regi Lushkjes në formacionin e vitit?
Sigurisht që u befasova pak. Por, me aq sa dëgjova, Regi nuk ka pasur mundësi të vijë dhe kjo ka qenë arsyeja, besoj. Automatikisht, me golat dhe asistet që kishte, duhet të ishte absolutisht në formacionin e vitit.

Cilat janë qëllimet tuaja për të ardhmen?
Mua më pëlqen vazhdimësia. Jam person që ka uri, kam ego. Dua të vazhdoj më shumë të fitoj. Mentalitetin e fituesit dua ta transmetoj te lojtarët.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL