Tetova beson tek afrimet, sulmi i Egnatias bëhet nga fillimi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 27, 2025 | 13:24

Tetova beson tek afrimet, sulmi i Egnatias bëhet nga fillimi

Egnatia përballet këtë të shtunë me Elbasanin në Rrogozhinë, në një sfidë që shihet si moment kthese pas një starti jo të mirë në kampionat.egnatiaHumbja në start me Vllazninë e ka futur disi skuadrën nën presion për të mbajtur ritmin e kreut. E kuptueshme deri – diku ngërçi në fillim, edhe për shkak të ndryshimeve. Edhe për mungesën e golit mund të thuhet e njëjta gjë. Skuadra rrogozhinase ka ndryshuar dukshëm repartin e avancuar këtë sezon, duke besuar te një treshe e re sulmuese: Nikola Buriç, Ildi Gruda dhe Kastriot Selmani. Pas javës së parë ku goli ka qenë i vështirë për t’u gjetur, pritshmëritë janë që këta emra të sjellin freski dhe efikasitet para portës.

GRUDA & SELMANI, SINJALE NGA EUROPA – Ildi Gruda dhe Kastriot Selmani e kanë gjetur rrugën e rrjetës që në ndeshjet e para në Kupat e Europës. Ky fakt shihet si një tregues i qartë i potencialit të tyre, pasi lojtarët që shënojnë herët fitojnë besim dhe zakonisht përsërisin paraqitjet e mira edhe në kampionat. Shënimet e tyre në arenën ndërkombëtare i kanë dhënë sinjale trajnerit Tetova se mund të mbështetet fort te krahët e sulmit për të bërë diferencën. Për më tepër, të dy janë lojtarë polivalentë, të aftë të luajnë si në krahë ashtu edhe si qendërsulmues të përkohshëm në varësi të skemës. Ndaj, pas golave në Europë, Tetova dhe e gjithë skuadra presin që të zhbllokohen sa më parë edhe në kampionat.

SHPRESAT TE BURIÇ – Në qendër të sulmit pritet Nikola Buriç, i cili ende nuk e ka gjetur golin e parë me fanellën e Egnatias. Sulmuesi kroat ka treguar lojë të fortë fizike dhe aftësi për të mbajtur topin, por duhet goli, ndonëse duket shpejt. Tetova pret që ai të shërbejë si lojtari referencë i skuadrës, duke tërhequr mbrojtësit e kundërshtarit dhe duke krijuar hapësira për Grudën dhe Selmanin. Nëse Buriç arrin të shpërthejë në këtë sfidë, repartit ofensiv do t’i shtohet një armë e re e rëndësishme. Nëse Gruda dhe Selmani konfirmojnë formën e mirë që treguan në Kupat e Europës dhe Buriç arrin të hapë llogarinë e golave, Egnatia mund të gjejë ekuilibrin që kërkon. Kjo treshe do të ketë mundësinë të provojë vlerën e saj në një ndeshje ku skuadra nuk ka luksin të humbasë pikë. Një fitore do të kthente qetësinë në ekip dhe do të hapte rrugën për një vazhdimësi më të mirë në kampionat.

VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL