Superiorja, 30% e klubeve me merkato të bllokuar/ Vllaznia, Tirana dhe Skënderbeu kanë çështje
Alarmi i merkatos vazhdon të mbetet prezent në futbollin shqiptar, teksa disa klube të Kategoria Superiore dhe jo vetëm, rezultojnë aktualisht me bllokime nga FIFA për regjistrimin e lojtarëve. Situata po bëhet gjithnjë e më shqetësuese në prag të merkatos së verës, një periudhë vendimtare për ndërtimin e skuadrave për sezonin e ardhshëm.

Nga 10 skuadrat e elitës shqiptare, tre prej tyre figurojnë aktualisht të bllokuara në sistemin e FIFA-s, ndërsa pjesë e listës është edhe Bylis, skuadër që sapo ka rënë nga Superiorja. Ndërkohë, probleme të ngjashme ka edhe Kastrioti, që rezulton me tre bllokime merkatoje aktive.
SUPERIORJA – Situata më problematike duket te Tirana, që rezulton me disa vendime ndëshkuese të regjistruara nga UEFA. Bardheblutë kanë marrë bllokime më 3 mars, 8 maj dhe 13 maj 2026, me këtë të fundit të përsëritur disa herë në sistem. Dënimi për Tiranën lidhet me ndalimin e merkatos për tre dritare transferimesh, një sinjal shqetësues për situatën financiare dhe detyrimet e prapambetura të klubit ndaj ish-lojtarëve apo stafit teknik.
Edhe Vllaznia figuron me dy çështje të hapura në UEFA, të regjistruara më 27 shkurt dhe 14 maj 2026. Në të dy rastet, ndëshkimi mbetet “until lifted”, pra deri në momentin kur klubi të shlyejë detyrimet përkatëse. Për shkodranët kjo situatë vjen në një moment delikat, teksa skuadra synon pjesëmarrjen në kupat e Europës dhe ndërtimin e ekipit për sezonin e ri.
Në të njëjtën situatë ndodhet edhe Skënderbeu, që rezulton i bllokuar nga FIFA që prej 19 majit 2026. Edhe korçarët kanë masë aktive “deri në heqjen e saj”, çka do të thotë se merkatoja mbetet e pezulluar deri në zgjidhjen e çështjeve financiare.
KATEGORIA E PARË – Ndërkohë, në listën e klubeve të ndëshkuara figuron edhe Bylis. Ballshiotët, që sapo ranë nga Superiorja, kanë dy masa aktive nga FIFA, të regjistruara më 21 prill dhe 27 maj 2026. Edhe në këtë rast bëhet fjalë për ndalim të merkatos për tre dritare transferimesh, duke e vështirësuar edhe më shumë rindërtimin e skuadrës pas rënies nga elita. Probleme ka edhe Kastrioti, që rezulton me tre bllokime merkatoje aktive.
Krutanët prej kohësh janë përballur me vështirësi financiare dhe penalizimet e UEFA-s vetëm sa e rëndojnë më shumë situatën e klubit, duke kufizuar ndjeshëm mundësitë për afrime dhe përforcime. Këto bllokime lidhen zakonisht me detyrime financiare ndaj ishlojtarëve, trajnerëve apo klubeve të tjera, ndërsa FIFA vazhdon të aplikojë rregulla të ashpra për licencimin dhe fair-play financiar.
Nëse klubet nuk arrijnë të zgjidhin problemet në kohë, rrezikojnë jo vetëm merkato të bllokuar, por edhe pasoja të tjera sportive dhe financiare. Situata mbetet shqetësuese për futbollin shqiptar, sidomos në një periudhë ku klubet kanë nevojë për stabilitet ekonomik dhe organizativ.
Me kupat e Europës në horizont dhe sezonin e ri që afrohet, shumë prej skuadrave shqiptare do të detyrohen fillimisht të zgjidhin problemet jashtë fushës përpara se të mendojnë për objektivat sportive.
OLSI AVDIAJ – PANORAMASPORT.AL













