Sulmuesi kosovar, Hazrollaj flet pas firmës me Tiranën: Besoj te projekti, dua trofe me këtë fanellë
Tirana ka prezantuar zyrtarisht afrimin e Drilon Hazrollajt.

Sulmuesi nga Kosova foli për herë të parë si futbollist bardheblu, duke shprehur besimin te projekti i klubit, ambiciet për trofe dhe premtimin se do të japë maksimumin në çdo ndeshje. Hazrollaj u ndal edhe te pritshmëritë e tifozëve, të cilëve u premtoi përkushtim të plotë dhe i ftoi ta mbështesin skuadrën gjatë sezonit.
Drilon, pse zgjodhe Tiranën?
Tirana është një klub i madh dhe zgjedhja ishte e lehtë. Besoj te projekti i klubit dhe kjo më jep siguri për të ardhmen.
Si do ta përshkruaje veten si futbollist?
Jam një lojtar që jep gjithmonë maksimumin. Më pëlqen të dribloj, jam i shpejtë dhe mundohem të jem golashënues. Do të bëj gjithçka për klubin dhe besoj se në ndeshje tifozët do ta shohin se do të përpiqem gjithmonë të jap më të mirën.
Cilat janë objektivat e tua me fanellën bardheblu?
Tirana është një klub që historikisht ka fituar trofe. Shpresoj që edhe unë, së bashku me skuadrën, të fitojmë trofe, sepse këtë e meriton një klub i madh si Tirana.
Çfarë premtimi i bën vetes dhe tifozëve?
Premtimi që i bëj vetes është të jap gjithmonë 100 për qind në fushë. Dua të largohem nga çdo ndeshje pa menduar se kam lënë diçka mangët. Dua që tifozët, klubi dhe të gjithë të dinë se e kam nderuar këtë fanellë me përkushtim maksimal.
Çfarë mesazhi ke për tifozët e Tiranës?
Shpresoj t’i takoj sa më shpejt dhe të festojmë së bashku shumë fitore. Mbështetja e tyre do të jetë shumë e rëndësishme për ne.
Çfarë do t’u thoje tifozëve nga Kosova?
Shqipëria dhe Kosova janë shumë pranë njëra-tjetrës. Ata që më njohin e dinë se çfarë mund të jap në fushë. I ftoj të vijnë të ndjekin ndeshjet e Tiranës dhe të ndihen krenarë që një futbollist nga Kosova përfaqëson këtë klub të madh.
OLSI AVDIAJ-PANORAMASPORT.AL













