SOT, ORA 19:00/ Elbasani nuk dorëzohet, beson te kualifikimi. Verdheblutë kërkojnë surprizën europiane ndaj BATE-s
Elbasani është vetëm 90 minuta larg një mbrëmjeje që mund të hyjë në historinë e klubit. Verdheblutë do të zbresin sot në fushë për ndeshjen e kthimit ndaj BATE Borisov, e vlefshme për turin e parë kualifikues të Conference League, me objektivin për të siguruar kalimin në raundin tjetër.
Pas barazimit 1-1 në “Elbasan Arena”, gjithçka mbetet e hapur dhe skuadra e Ivan Gvozdenoviçit ka treguar se ka argumentet e duhura për të besuar te kualifikimi. Paraqitja në sfidën e parë rriti optimizmin në kampin verdheblu, pasi Elbasani jo vetëm që rivalizoi me një kundërshtar me eksperiencë të madhe në Europë, por në shumë momente ishte edhe skuadra më kërkuese në fushë.
KUALIFIKIMI Ndeshja e parë la të kuptohej se diferencat mes dy skuadrave janë minimale. Elbasani zhvilloi një lojë të organizuar, krijoi më shumë raste për shënim dhe në disa momente ishte pranë golit të dytë që do t’i jepte një avantazh të rëndësishëm. Pikërisht për këtë arsye, në kampin verdheblu mbizotëron bindja se kualifikimi mbetet plotësisht i arritshëm. Një fitore në 90 minuta do ta dërgonte Elbasanin në raundin e dytë, ndërsa çdo barazim do ta çonte përballjen në shtesë. Për skuadrën elbasanase do të jetë e rëndësishme të ruajë të njëjtin ekuilibër që tregoi në ndeshjen e parë, por njëkohësisht të jetë më konkrete në momentet para portës kundërshtare.
PROVA E MADHE Për futbollistët e afruar gjatë merkatos së verës, kjo sfidë përfaqëson testin më të rëndësishëm deri tani. Ardit Nikaj, i cili debutoi me gol në ndeshjen e parë, pritet të jetë sërish pika kryesore e repartit ofensiv. Mbështetja e Rubin Hebajt, Ledio Tresës dhe Diallos do të jetë vendimtare për të krijuar rrezik në zonën kundërshtare, ndërsa në prapavijë shumë do të varet nga siguria që do të japin kapiteni Bruno Lulaj, Joan Epitauks dhe portieri Igor Aleksovski. Trajneri Ivan Gvozdenoviç pritet t’i besojë thuajse të njëjtit formacion që zbriti në fushë në “Elbasan Arena”, duke ruajtur skemën dhe idetë që funksionuan në ndeshjen e parë.
BATE Pavarësisht emrit dhe historisë që ka ndërtuar në futbollin europian, BATE Borisov nuk po kalon periudhën më të mirë të viteve të fundit. Edhe në ndeshjen e parë u pa një skuadër që pati vështirësi përballë ritmit dhe agresivitetit të Elbasanit, duke arritur të marrë barazimin nga një prej rasteve të pakta të krijuara. Megjithatë, eksperienca e bjellorusëve në kompeticionet europiane mbetet një faktor që nuk duhet nënvlerësuar. Për këtë arsye, verdheblutë do të duhet të tregojnë të njëjtën përqendrim nga minuta e parë deri në fund, duke shmangur gabimet që mund të kushtojnë në një ndeshje të tillë.
OBJEKTIVI Në kampin verdheblu askush nuk e fsheh se objektivi është kalimi i turit. Një kualifikim do të kishte një rëndësi të veçantë, jo vetëm sepse do të ishte i pari në historinë europiane të klubit, por edhe sepse do të konfirmonte rritjen e projektit që Elbasani ka ndërtuar gjatë viteve të fundit. Një sukses i tillë do t’i jepte skuadrës besim për vazhdimin e sezonit, ndërsa do të përfaqësonte një shpërblim të madh për klubin, tifozët dhe qytetin që e ka pritur për dy dekada rikthimin në arenën ndërkombëtare. Takimi mes BATE Borisov dhe Elbasanit do të zhvillohet sot në mbrëmje në Azerbajxhan, në një fushë neutrale, aty ku verdheblutë do të kërkojnë të hedhin një tjetër hap të rëndësishëm në rrugëtimin e tyre europian. Përballë do të kenë një kundërshtar me histori, por ajo që treguan një javë më parë u jep të drejtën të besojnë se historia mund të shkruhet nga Elbasani.
VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL













