Shkodranët mbushin radhët, dy mesfushorë bëhen gati për Vorën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 2, 2025 | 23:47

Shkodranët mbushin radhët, dy mesfushorë bëhen gati për Vorën

Dy lajme të mira ka për trajnerin Martini dhe Vllazninë në përpara ndeshjes së radhës në kampionat kundër Vorës, duel që do të luhet ditën e enjte në orën 13:30, në kuadër të javës së 14- të të Superiores.

KRYMI

Kështu në grumbullin e lëndimeve dhe rezultateve jo pozitive së fundmi, do ketë dy rikthime për 9 herë kampionët e vendit përpara një dueli shumë delikat siç është ai me Vorën. Kështu do jenë Ardit Krymi dhe Eslit Sala që munguan kundër Teutës, të cilët do rikthehen nën urdhrat e Martinit. Të dy mesfushorët e kanë kaluar pezullimin e kartonëve e në këtë mënyrë do jenë të gatshëm për të dhënë kontributin e tyre në këtë duel. Këto rikthime vijnë ndoshta në momentin më të duhur dhe nevojshëm për skuadrën.

Kjo pasi në mesfushë në duelin e radhës pritet të mungojnë Dros, Kallaku edhe Mala, të cilët patjetër krijojnë një “vakum” të madh në këtë repart për kuqeblutë. Të cilët shpresojnë të “rikuperojnë” diçka me rikthimin e Krymit e Salës, me dyshen që me shumë mundësi do e nisë nga minuta e parë kundër Vorës ditën e enjte. Teksa ndryshime pritet të ketë edhe në repartin e avancuar, pasi lëndimi i Bismark patjetër bën që të mendosh për lojtarin tjetër që do shoqërojë Balajn në repartin e avancuar. Ku ndoshta do jetë Kastrati ai i cili do jetë në dyshen e repartit të avancuar me 34- vjeçarin e sulmit shkodran.

Por, deri të enjten do ketë kohë për Martinin dhe stafin e tij për të vendosur formacionin më të mirë në fushën e lojës, bazuar kjo edhe në formën apo shqetësimet fizike që mund të shfaqin lojtarët e 9 herë kampionëve të Shqipërisë.

PANORAMASPORT.AL