Punimet në stadium, Vora ka kohën kundër për startin. Skuadra, gati për testin e parë kundër Besës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 14, 2025 | 14:27

Punimet në stadium, Vora ka kohën kundër për startin. Skuadra, gati për testin e parë kundër Besës

Vora vijon fazën përgatitore, që startoi më 1 korrik. Kanë kaluar dy javë dhe skuadra duket e konsoliduar. Nën drejtimin e trajnerit Arian Bellai, si dhe dy ndihmësve të tij, Eldiano Topi e Endri Zjarri, ka mbërritur koha kur lojtarët duhet t’i nënshtrohen provës rigoroze.

stadium vora 1

 

Për këtë klubi ka bërë me dije se të shtunën e 19 korrikut do të luajnë ndeshjen e parë miqësore për këtë fazë. Kundërshtari do të jetë Besa e Kavajës dhe takimi do të luhet në orën 18:00, në stadiumin “Tofik Jashari” të Shijakut, ku Vora po zhvillon edhe seancat stërvitore.

Puna në stadium

stadium vora 2

Vora e mbylli sezonin e fundit si kampione e Kategorisë së Parë, kështu që ngjitja për herë të parë në Superiore kërkon edhe cilësi në infrastrukturë. Stadiumi “Vora” nuk përmbushte kushtet për sfidat e Superiore, kështu që po i nënshtrohet ndërhyrjes. Tashmë kur mbetet afërsisht edhe një muaj, ende tribuna qendrore ku do të zhvillohen punimet, nuk ka “dalë në dritë”. Punimet ndodhen në fazën e themeleve të kësaj tribune. Janë hapur e betonuar gropat e bazës së themelit të tribunës qendrore dhe është bërë sheshimi e hapja e një rruge pas shkollës 9-vjeçare për të hyrë nga prapa stadiumit, ku me shumë gjasa ky shesh do të shërbejë për parkimin e  automjeteve dhe autobusëve të skuadrave.

stadium vora 3

Megjithatë, duke qenë se do të jetë një konstruksion metalik është mundësia e arritjes në kohë të përfundimit të kësaj tribune për të qenë e gatshme në ndeshjen e parë zyrtare të 23-gushtit, nëse Vora do ta luajë ndeshjen e parë historike të Superiores në shtëpinë e saj. Tribuna e re do të ketë të gjitha asetet e një stadiumi modern, që nga akomodimet e dhomave të zhveshjes, dusheve, hollit të hyrjes, si dhe sallat e konferencave të shtypit, dhomat e komentatorëve të radios e të televizionit e mediave të tjera. Parashikohet dhe një numër i konsiderueshëm për personat VIP dhe tifozerinë.

ABDULLA DUSHKU- PANORAMASPORT.AL