Propozimi i FSHF-së/ Vllaznia kërkon skemë tjetër, drejtori Sinani: Pikët të zerohen

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 12, 2025 | 23:40

Propozimi i FSHF-së/ Vllaznia kërkon skemë tjetër, drejtori Sinani: Pikët të zerohen

Federata Shqiptare e Futbollit u ka propozuar sot klubeve ndryshimin e “Final Four”. Kështu mendohet që në edicionin e ardhshëm, pikët të përgjysmohen pas 36 javëve dhe të luhen tre javë të tjera në “Air Albania” me katër vendet e para.

vioresin sinani

Vllaznia në anën tjetër ka publikuar propozimin e saj. Kuqeblutë kërkojnë që pas 36 javëve, pikët të zerohen. Më tej gjysmëfinalet të jenë me sistem vajtje-ardhje ku vendi i parë dhe i katërt të përballen bashkë. Dhe po njësoj për vendin e dytë dhe të tretë.

Në anën tjetër finalja e madhe të luhet në “Air Albania”. Kështu Vllaznia kërkon që jo të gjitha ndeshjet të jenë aty siç pritet të mbetet sërish.

Njoftimi i Vllaznisë:

Departamenti i Garave në FSHF zhvilloi sot një takim konsultues me drejtues të klubeve të kampionatit “Abissnet Superiore”. Në fokus të këtij takimi konsultues ishte diskutimi mbi një propozim për përmirësimin e skemës aktuale të “Final 4”, me qëllimin për të rritur më tepër rivalitetin dhe cilësinë në fazën përmbyllëse të kampionatit.

Në këtë kuadër dhe me propozimin e Federatës për një skemë me “Final 4”, KF Vllaznia përmes drejtorit sportiv Vioresin Sinani ka propozuar këtë opsion:

“Në fund të kampionatit të rregullt, pikët të zerohen. Në gjysmëfinale të luhet me skemën: Vendi i parë me të katërtin dhe i dyti me të tretin me sistem vajtje- ardhje, ndërsa finalja të luhet në “Air Albania”. Me këtë formulë vendi i parë është i favorizuar sepse do të luajë me të katërtin”. Në këtë mënyrë nuk shmangim stadiumet dhe tifozët tanë si dhe kemi mundësi të ardhurash secili klub”, shkruan Vllaznia.

PANORAMASPORT.AL