Problemet në zemër, ja kur kthehet Edlir Tetova
Për shkak të problemeve në zemër, trajneri Edlir Tetova do të duhet të qëndrojë disa ditë apo edhe disa javë pushim, përpara se të rikthehet me kohë të plotë te skuadra e Egnatias. Aktualisht nuk ka një datë të saktë se kur mund të rikthehet në krye të pankinës, por duke qenë se jemi në muajin dhjetor, gjasat më të mëdha janë që tekniku durrsak ta ketë mbyllur vitin futbollistik dhe vetëm në janar të ketë shansin të jetë sërish në fushë me ekipin e tij.

Mjekët kanë rekomanduar kujdes të shtuar dhe rikthim të ngadaltë, për të shmangur çdo rrezik të panevojshëm. Gjatë kësaj periudhe, Tetova do të qëndrojë në kontakt të vazhdueshëm me ndihmësit e tij dhe pjesën tjetër të stafit teknik, duke kontribuar në mënyrë indirekte në përgatitjet e skuadrës. Megjithatë, është e vështirë të imagjinohet se ai mund të veshë sërish tutat për t’u rikthyer pranë fushës në ditët e afërta, pasi rikuperimi kërkon kohën e vet. Lajmi pozitiv për të dhe për klubin është se trajneri e lë ekipin në vendin e parë dhe shpreson që kur të rikthehet, të gjejë Egnatian ende në krye të renditjes, duke vijuar rrugën drejt objektivave të këtij sezoni.
Praktikisht, nga të gjitha gjasat, Tetova pritet të humbasë edhe ndeshjen e Superkupës ndaj Dinamos, një duel ku padyshim do të kishte dashur të ishte prezent. Megjithatë, Egnatia duket se është në duar të sigurta. Drejtimin e skuadrës e merr zëvendësi dhe njëkohësisht miku i tij më i ngushtë, Julian Brahja. Dyshja njihen prej shumë vitesh, pasi kanë luajtur së bashku në disa skuadra dhe prej tre vitesh bashkëpunojnë ngushtë edhe tek Egnatia.
Brahja shihet si njeriu i duhur për të mbajtur ekuilibrat në këtë moment të ndjeshëm, ndërsa brenda klubit mbizotëron bindja se ekipi do të vazhdojë të ecë me të njëjtin ritëm. Lojtarët janë të motivuar të japin maksimumin, edhe si mënyrë për t’i bërë një dedikim trajnerit të tyre, i cili gjithmonë ka qenë pika e referimit në dhomën e zhveshjes.
PANORAMASPORT.AL













