Pret sot Partizanin, Laçi e ka si fortesë stadiumin
“Shtëpi, e ëmbla shtëpi”, do të ishte shprehja që i shkon më përshtat Laçit në këto 22 javë të luajtura në Superiore deri më tani. Kundërshtarët e kanë shumë të vështirë të dalin si fitues nga stadiumi i kurbinasve.

Kjo është ajo çka tregojnë statistikat, madje mund të themi se pikët e mbledhura në shtëpi kanë qenë vendimtare që Laçi sot nuk është në vendin e fundit, por në të shtatin, në situatë komode për të qëndruar në Superiore edhe në sezonin e ri.
Skuadra e drejtuar nga Françesko Moriero ka luajtur 11 ndeshje në shtëpi dhe ka grumbulluar 17 pikë, nga 23 që ka në total. Bardhezinjtë janë skuadra e pestë që kanë grumbulluar më shumë pikë në stadiumin e tyre, poshtë Partizanit (rivali i radhës), që ka dy pikë dhe një ndeshje të luajtur më shumë.
Ky detaj është mjaft domethënës për faktin se skuadra bardhezi e shfaq veten më mirë në fushën e vet. Mbetet të shihet sesa do t’ia dalë kundër Partizanit, që vjen ndjeshëm më i dobët se ai i fazës së parë. Sa i përket ekipit, trajneri italian nuk do të ketë në dispozicion vetëm të riun Orgi Cena, i pezulluar për kartonë.
PANORAMASPORT.AL













