Pikantet e Partizani-Vora/ Milinkoviç djersin në debutim, vërshëllima e fundit i çliron të gjithë te “demat”
Partizani fitoi me rezultatin 1-0 përballë Vorës. Sfida në “Arena e Demave” u ndoq nga rreth 2500 tifozë, ndërsa ndeshja nisi të dielën në orën 20:00. “Panorama Sport” ndodhej aty dhe iu sjell pikantet.
-Vora e ka ndeshjen e parë historike në Superiore, për këtë duket se e ka marrë me entuziasëm të plotë. Është hera e parë që zbret në fushë në nxemje. Mladen Milinkoviç ndërkohë debuton si trajner i Partizanit. Trajneri i ri i “demave” kthehet pas thuajse 8 vitesh në Superiore.
-Tifozeria mike, ajo e Vorës, e ka mbushur në kapacitet të plotë sektorin e saj dhe pse nuk është e zhurmshme. Në anën tjetër ndodhen “Ultras Guerrils”. Tifozët e zjarrtë të Partizanit nuk pushojnë gjatë gjithë ndeshjes me koret e tyre.
-Alban Bushi ndodhet i pranishëm në “Arena e Demave”. Trajneri i Kombëtares U-21 nuk e ka humbur ndeshjen e javës së parë në kryeqytet.
-Tedi Malaj, Elson Himallari, Dion Vata, Gjergji Kote, Diego Kontreras, Arshonzh Bintsuka dhe Skandër Tahri kanë përfunduar në tribunë. Malaj, Kote dhe Kontreras kanë pasur shqetësime fizike, ndërsa Bintsuka akoma nuk ndodhet në formën e duhur.
-Skuadrat po zhvillojnë nxemjen e zakonshme, ndërsa Çipi dhe Daka vendosin të qëndrojnë për disa momente bashkë. Futbollisti i Partizanit me atë të Vorës shkëmbejnë biseda miqësore.
-Emanuela Rusta merr dy kapitenët, për të shpjeguar rregullat e reja para fillimit të ndeshjes.
-Bellaj ka preferuar të vishet “casual” në stolin e Vorës. Ndryshe për Milinkoviç, i cili në debutimin e tij ka zgjedhur kostumin.
-Milinkoviç mund të shikohet duke fshirë djersën, e nxitur edhe nga moti dhe veshja. Të dy trajnerët janë mjaft aktiv në pankinat përkatëse.
-Pasi akordohen minutat shtesë në pjesën e parë, Bellai shikon nga lojtarët që ka në nxemje. Pjesa e dytë nis menjëherë me zëvendësim te Vora.
-Alban Hoxha është i pari që futet në dhomat e zhveshjes dhe pse akoma nuk është vërshëllyer fundi i pjesës së parë. Gardiani i “demave” është më i vjetri i skuadrës, aktiv nga viti 2013.
-Françesko Hasaj ka nevojë për barelën, që të largohet nga fusha e blertë. Duartrokasin tifozët e Vorës për t’i ofruar mbështetje. Për të ndihmuar me barelën duhet edhe futbollisti Dajan Shehi, si edhe dy pjesëtarët e stafit mjekësor të Vorës.
-Gjyqtarja Rusta e tregon dy herë kartonin e verdhë, por harron të kuqin për Shanajn në frymën e fundit të takimit. Loja ishte e ndalur, kur Shanaj e pa dy herë kartonin e verdhë t’i drejtohej.
-Altin Byyçi ndodhet përpara, ndërsa Kërnaja ndjek instruksionet e Milinkoviç duke iu drejtuar me ton të lartë: “Mos shko lart”, dëgjohet ndërsa pritet vetëm vërshëllima përfundimtare. Partizani nuk pranon të rrezikojë fitoren.
-Ka lehtësim në pankinën e Partizanit, pasi e nisin rrugëtimin e këtij kampionati me fitore. Përgëzohet Milinkoviç. Dhe pse dolën me humbje, tifozët e Vorës duartrokasin lojtarët e tyre për paraqitjen pozitive.
EMANUEL LOCI-PANORAMASPORT.AL













